Bylisi si oaz për nigerianët, Ntepe: Frymëzohem nga Olainka…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2019 | 12:55

Bylisi si oaz për nigerianët, Ntepe: Frymëzohem nga Olainka…

Një “oaz” për nigerianët. Është fakt se në dekadën e fundit nga Bylisi kanë spikatur lojtarë, si Olainka, Xhejms, Adebajo dhe Izuçuku, që në arkën e Bylisit kanë sjellë përfitime. Por, presidenti Besnik Kapllanaj nuk heq dorë, madje duke afruar çdo vit lojtarë që vijnë nga akademi të njohura në Nigeri.

ntepe bylis

Pesë vite më parë erdhi si sulmues në Ballsh, madje u shfaq edhe si shënues kur nisi që të aktivizohej si titullar. Bëhet fjalë për Ntepe Frank Odirah, i cili erdhi nga Nigeria në vitin 2014 dhe tashmë po shkëlqen në Superiore. Ntepe fillimisht erdhi për të forcuar Bylisin në fazën ofensive, por ka luajtur edhe si mbrojtës i djathtë në tri sezonet e fundit. Madje, për nevoja të skuadrës, është përdorur edhe si mesfushor shkatërrues.

Këtë sezon ka realizuar tre gola, një herë ndaj Partizanit dhe dy herë kundër Flamurtarit. Ëndrra Europë ka nisur nga Ballshi për nigerianin. 26-vjeçari Ntepe flet ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke treguar synimet që ka për karrierën.

Është i katërti sezon që luani në Ballsh. E kishit menduar që do të qëndronit kaq gjatë?

Nuk e dija që do të isha kaq gjatë në Ballsh, por ky është futbolli, çdo gjë që mund të ndodhë.

Cili ka qenë viti që ju ka lënë mbresa?

Kam pritur që të luaj në Superiore, besoj ky vit do të jetë kulmi, por edhe sezonin tjetër gjithashtu…

Si është të jetosh në Ballsh dhe sa ndryshe ju duket si qytet kur duhet të vizitoni vende të tjera, kur luani në transfertë?

Ballshi është një qytet i vogël, por gjithashtu është një vend shumë i qetë dhe mikpritës. Të shkosh jashtë për të luajtur, në krahasim me Ballshin, në të vërtetë nuk bën ndonjë ndryshim. Kam gjetur një dashuri të madhe në Ballsh, kam katër vite dhe këtu më respektojnë edhe fëmijët e vegjël…

Në 6 ndeshje në fushë, keni shënuar tre gola. Është ky kulmi juaj?

Shënimi është pjesë e futbollit tim, por më e rëndësishmja është të ndihmoj ekipin që të arrijë qëllimet e tij. Por më duhet të vazhdoj të bëj më të mirën në fushë dhe në fund do të shoh sa gola kam realizuar për sezonin.

Çfarë ëndërron Ntepe për të ardhmen në futboll?

Unë kam ëndrrën e madhe, ashtu si çdo lojtar tjetër, që të luaj në Europë në liga të larta. Ende kam një rrugë të gjatë për të vazhduar, por duhet të vazhdoj që të punoj shumë derisa të arrij në majë. Kërkon shumë punë dhe angazhim.

Olainka është një lojtar që ka luajtur në Ballsh dhe pak kohë më parë i shënoi Interit në Europë. Është ky një nga ato raste që ju inspiron?

Po, unë e njoh Peter Olainkën prej një kohë të gjatë dhe historia e tij më frymëzon shumë. Ai është një lojtar profesionist, shumë i edukuar e i mirë dhe besoj se mësoj shumë nga historia e tij. Aq më tepër që edhe shkëlqimi i tij nisi nga Bylisi.

Cili është statusi juaj, i martuar apo beqar?

Hahaha, jam akoma beqar.

Pasione të tjera, veç futbollit, a keni?

Kam një pasion për të dhënë mësim. Këtë ma njohin ata që janë përreth meje.

Ushqimi i preferuar shqiptar cili është?

Ushqimi im i preferuar shqiptar është tasqebapi. Është i shijshëm mbi të gjitha…

Miku më i mirë që keni në Ballsh cili është?

Shoku im më i mirë në Ballsh është vëllai im, Antoni, por unë jam shumë i ngrohtë me të gjithë lojtarët, sepse gjatë gjithë kohës qëndrojmë bashkë të grumbulluar. Kemi sjellje të mirë dhe këtë e reflektojmë në fushë.

Si ju thërrasin?

Shumica e lojtarëve më quajnë Frenki, por kur duan të bëjnë shaka, më quajnë Frenki Ntepe. Por pothuajse të gjithë më quajnë Frenki…!

Na thoni ndonjë fjalë shqip, nëse keni mësuar?

Unë di shumë fjalë në shqip, sepse e kuptoj shumë mirë shqipen. Faleminderit. Mirupafshim. Si jeni. Mirë.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"