Bylisi pa trajnerin ndaj Kukësit, Ujka prish planet. Ballshiotët ndryshojnë mesfushën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2021 | 10:02

Bylisi pa trajnerin ndaj Kukësit, Ujka prish planet. Ballshiotët ndryshojnë mesfushën

Sfida me Kukësin është mjaft e rëndësishme për ballshiotët e trajnerit Veljko Dovedan, i cili dje u dënua nga Komisioni i Disiplinës dhe nuk do të jetë në stol në ndeshjen që do të luhet sot, ora 13:45, në “Elbasan Arena”. Skuadra ballshiote do të ketë sërish ndryshime në formacion, pasi do të mungojë mesfushori Serxhio Ujka. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq pas dy të verdhëve ndaj Vllaznisë.

bylis teuta

Natyrisht që Ujka lë një boshllëk të madh në qendër, aty ku mbetet vetëm Kardozo, duke qenë se nuk janë më pjesë e skuadrës Murataj, Mëllugja apo Dushkaj. Trajneri Dovedan pritet që në këtë ndeshje të hedhë në lojë kosovarin Kreshnik Nebihu, i cili do të formojë dyshen me Kardozon në mesfushë. Në fakt, në këtë pozicion ballshiotët kanë përdorur edhe brazilianin Lorran, i cili ka bindur me performancën e tij në tri takimet e fundit. Por, edhe Edison Ndreca mund të spostohet në ndeshjen ndaj Kukësit. Gjithsesi, alternativat nuk mungojnë.

MERKATO – Ballshiotët janë ende në merkato dhe synojnë që të bëjnë edhe dy përforcime, ndërsa bëhet fjalë për lojtarë në mbrojtje dhe në sulm. Drejtuesit nuk po nxitohen për të bërë zgjedhjet e duhura, ndërsa në ndeshjen me Kukësin, me shumë gjasa afrimi i bujshëm në këtë merkato, Nemanja Kejiç, pritet që ta nisë nga stoli, duke qenë se ende nuk e ka formën e duhur. Bylisi ka qenë aktiv me lëvizjet e merkatos, duke pasur shumë hyrje-dalje këtë periudhë. Megjithatë, skuadra mbetet për t’u parë në këtë pjesë të dytë të sezonit nëse do të mbijetojë në elitë. Shanset janë, sepse ka ende edhe më shumë se gjysmë sezoni për t’u luajtur. Megjithatë, nëse sot do të mbyllej kampionati, atëherë ballshiotët do të ishin të detyruar të luanin një ndeshje shtesë (“play out”) për të diskutuar qëndrimin edhe një sezon në Superiore.

ERJON SALIU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"