“Bylisi nuk ndalet as në Laç”, Dovedan i bindur: Ndeshje e rëndësishme për mua…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 6, 2019 | 13:13

“Bylisi nuk ndalet as në Laç”, Dovedan i bindur: Ndeshje e rëndësishme për mua…

Bylisi ka mbyllur përgatitjet për ndeshjen me Laçin, të cilën do ta zhvillojë sot në transfertë. Trajneri Dovedan e ka skuadrën të plotë dhe ballshiotët synojnë që të vijojnë ecurinë e rezultateve pozitive. Mallakastriotët janë përgatitur gjatë javës dhe e kanë vlerësuar sfidën, ndërsa në intervistën për “Panorama Sport”, trajneri Dovedan ka besim te lojtarët e tij.

veljko dovedan

Si e keni përgatitur ndeshjen me Laçin?

Kemi një ndeshje me një ekip, që në fushën e vet është mjaft i fortë. Laçin e njoh, por ne do të shikojmë që të vazhdojmë ecurinë pozitive, të japim më të mirën në këtë ndeshje.

Si është gjendja e skuadrës?

Na mungon Antonio dhe Turabov është në dyshim. Megjithatë, nga grupi kam parë impenjim gjatë gjithë javës dhe besoj se djemtë do të dinë që të tregojnë edhe në këtë ndeshje se jo më kot kemi këtë ecuri dhe pozitë në renditje. Me kushtet dhe afrimet që na ka krijuar presidenti, nuk do të ndihen mungesat në Laç.

Si për rastësi, edhe vjet luajtët me Laçin në Kupë…

Po, e vërtetë, luajtëm vjet dhe luajmë prapë me Laçin në turin tjetër. Koincidencë e bukur. E rëndësishme është që në Kupë e siguruam kualifikimin që në ndeshjen e parë, tashmë mendojmë vetëm për kampionatin. Sigurisht që ndeshja e radhës ka rëndësi të madhe për mua dhe djemtë.

Fakti që keni vetëm një humbje dhe ecuri në rritje, jua shton besimin?

Kanë kaluar vetëm pak ndeshje, madje nuk është luajtur as një e katërta e garës. Ndaj, duhet të punojmë çdo ditë dhe të vlerësojmë çdo stërvitje apo çdo ndeshje që zhvillojmë. Unë mendoj se është ende herët për llogari. Ne i marrim ndeshjet me radhë dhe duhet që të jemi me këmbë në tokë. Kjo është diçka, të cilën futbollistët e mi e kanë të qartë.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"