Bylisi nis misionin për Erzenin, moshat “mbushen” me nigerianë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 28, 2022 | 20:45

Bylisi nis misionin për Erzenin, moshat “mbushen” me nigerianë

Bylisi ka nisur të mendojë për sfidën e radhës në kampionat ndaj Erzenit, e dyta radhazi në shtëpi, teksa FSHF-ja ka konfirmuar se do të luhet ditën e premte në orën 15:00 në stadiumin “Adush Muça”. Mallakastriotët vijnë në këtë sfidë pas barazimit me Egnatian në Ballsh dhe synimi është që të rikthehen te tri pikët.

bylis

Bylisi në këtë sfidë pritet të jetë i plotë, ndërsa në periudhën e pushimit kanë marrë minuta edhe lojtarët e afruar së fundmi si: Karakamishev, Atshimene apo edhe sulmuesi i majtë, braziliani Souza. Ndaj edhe në vijimin e garës, skuadra mallakastriote pritet që të ketë një grup më kompakt, si dhe me më shumë konkurrencë dhe cilësi.

Për t’u theksuar është fakti se Bylisi ka grumbulluar po aq pikë në transfertë sa në shtëpi, teksa skuadra e Arian Bellait ka marrë një pikë në Durrës dhe ka fituar sfidën në Laç, ndërsa ka një fitore në Ballsh me Kastriotin dhe ka barazuar me Egnatian.

STRATEGJIA – Bylisi duket se po u jep prioritet lojtarëve me perspektivë nga tregu vendës dhe i huaj, duke i afruar në gjirin e vet dhe pse jo për të përdorur edhe marketingun për t’i shitur më pas. Nga sa bëhet e ditur, mallakastriotët kanë afruar në gjirin e tyre gjatë merkatos edhe disa lojtarë nga akademi të njohura në Nigeri, të cilët mund të luajnë në skuadrën e U-21, por edhe tek U-19. Fjala është për Miçak Galadima Auje, që luan si mbrojtës dhe është 19 vjeç.

Po ashtu edhe Jusuf Aminu, që luan si mesfushor. Ngene Izuchuku dhe Abrahm Kirnan, që luajnë gjithashtu si mesfushorë, si dhe sulmuesi Mohamed Saleh. Lojtarët janë me të dhëna shumë të mira dhe në Ballsh shpresojnë të rriten si duhet dhe t’i shesin në të ardhmen.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"