Bylisi “ndez motorët”, në derbi vlejnë vetëm 3 pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2021 | 0:27

Bylisi “ndez motorët”, në derbi vlejnë vetëm 3 pikët

Derbi “antik” mes Bylisit dhe Apolonisë vjen në një moment jo të mirë për të dyja skuadrat. Tradicionalisht kjo ndeshje ka prodhuar gjithmonë rivalitet dhe e njëjta gjë pritet edhe në sfidën e kësaj fundjave, paçka se në Fier duken të dorëzuar për mbijetesën.

APOLONIA BYLIS

Nëse shikojmë statistikat, kuptojmë se diferencat mes ballshiotëve dhe fierakëve janë të mëdha në sezonet e fundit. Ballshiotët janë një ekip që kanë më shumë pjekuri se fierakët, ndërsa këtë sezon kanë bërë diferencë në dy sfidat që kanë zhvilluar në Fier, ashtu edhe në atë në Ballsh, duke dominuar takimet. Në duelin e katërt për këtë kampionat në elitë, ballshiotët synojnë fitoren, që nëse realizohet, do të ishte e treta ndaj Apolonisë për sezonin 2020-2021.

Derbet e këtij sezoni kanë pasur një atmosferë ndryshe për shkak të mungesës së tifozëve. Kur luhet ky takim, si në Ballsh ashtu edhe në Fier, stadiumet mbushen, për shkak edhe të afërsisë, por edhe të kombinatit të përpunimit të thellë të naftës, që i ka bashkuar ndër vite dy qytetet.

Si për koincidencë, këtë sezon, edhe derbet në kampionatet U-21 të dyja i ka fituar Bylisi. Ballshiotët duken optimist, nisur nga fakti që në derbi do ta kenë skuadrën e plotë, ndërsa stafi dhe drejtuesit dje kanë ndjekur edhe skuadrën U-21, që ka luajtur me Shënkollin. Në radhët e ekipit të dytë kanë luajtur edhe futbollistë të skuadrës së parë dhe që kanë qenë në stol apo janë aktivizuar në Laç. Ndërkohë, dje trajneri Veljko Dovedan ka zhvilluar seancë të karakterit taktik.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"