“Bylisi lufton në dy fronte”, Hidi sqaron edhe gjyqin e fituar: Ju tregoj historinë me Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2020 | 13:45

“Bylisi lufton në dy fronte”, Hidi sqaron edhe gjyqin e fituar: Ju tregoj historinë me Dinamon

Kjo është një javë e ngjeshur edhe për Bylisin që në mesjavë luan me Tiranën ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, ndërsa në fundjavë do të presë po në Ballsh skuadrën e Partizanit. Isli Hidi, një nga pikat e forta të Bylisit, është duke bërë më të mirën për katërkëndorin ballshiot.

hidi

Bashkë me Mirakën janë duke i dhënë siguri portës së Bylisit. Në një prononcim për “Panorama Sport”, Isli Hidi ndalet te sfida me Tiranën në Kupë dhe ajo me Partizanin, teksa thotë se do të bëjnë gjithçka për të fituar. “Fillimisht dua të ndalem te sfida me Kukësin, unë jam një lojtar me eksperiencë dhe mendoj e gjykoj se kemi merituar më shumë nga ajo sfidë. Të gjithë derdhëm djersë dhe ne duhet që të mos dilnim pa pikë, por kjo nuk ndodhi për fajin tonë. Deri në fund kemi bërë mirë duke pasur edhe rastësi si ajo penallti që nuk ishte në fakt, por që vendosi ndeshjen, ashtu sikurse ka pasur edhe një faull për Goxhën.

Por ne shohim përpara. Të bëjmë detyrën dhe t’i kushtojmë rëndësi sfidës me Tiranën. Kundërshtari është në formë, por ne duhet që të bëjmë më të mirën tonë, sepse Kupa e Shqipërisë ka prioritet dhe na çon në Europë. Për fat janë dy ndeshje, sepse është më ndryshe kur është ndeshje teke. Të vazhdojmë të ruajmë ritmin, të bëjmë lojë të bukur dhe të arrijmë rezultat pozitiv me shpresën e madhe që në ndeshjen e parë në Ballsh.

Kjo javë rezervon dy sfida delikate me Tiranën në Kupën e Shqipërisë dhe Partizanin. Duhet të bëjmë maksimumin, sepse garës po i vjen fundi dhe të bëjmë llogaritë tona”, tha Hidi. “Gardiani” flet edhe për padinë ndaj Dinamos dhe bllokimin që i ka bërë zyra përmbarimore klubit blu. “Janë procedura që kanë nisur kohë më parë. Është e vërtetë që Dinamo më detyrohet dhe unë kam kërkuar një të drejtë. Bëhet fjalë për vitin 2010 kur kam qenë pjesë e bluve”, tha Hidi në fund të prononcimit.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"