Bylisi kompletohet para ndeshjes ndaj Laçit, Bellai i ka gati të gjitha “armët”
Sfida me Laçin ka bërë që vëmendja e ballshiotëve dhe trajnerit Arian Bellai të përqendrohet te kampionati.
Bylisi në këtë sfidë pritet të jetë më i plotë, pasi rikthehen lojtarët, që kanë munguar ndaj Partizanit në Tiranë.
Duke nisur që nga Aleksandër Trumçi, i cili shleu kartonët apo dhe Stivian Janku, që pas pezullimit e grumbullimit në dy miqësoret kuqezi, duket se vjen me tjetër “stof” te Bylisi në pjesën e mbetur të sezonit. Xhonatan Lajthia, Lorran dhe Xhoel Maçolli janë rikuperuar plotësisht, por me skuadrën pritet që të jetë gati edhe Abubakar Kamara, edhe ky një nga lojtarët e huaj premtues që ka Bylisi, i grumbulluar edhe me Niger U-23.
Në formën optimale është edhe Antoni Beji, një nga sulmuesit kryesorë të skuadrës mallakastriote.
Bylisi është një nga ekipet me organikë të plotë dhe me më shumë lojtarë dhe kjo është vënë re në pjesën e parë të garës, teksa mallakastriotët kanë aktivizuar lojtarë të shumtë vendës dhe të huaj, por edhe nga akademia.
Ballshiotët duket se kanë provuar një pjesë të lojtarëve në sfidën e U-21 me Egnatian në Rrogozhinë. Bylisi do të luajë në 11 dhjetor ndaj kurbinasve dhe “kthesa” është kryefjalë në “Adush Muça”, ku pritet që skuadrës mallakastriote të mos i mungojë edhe mbështetja nga tifozët e vet.
Gjithsesi, ajo që bie në sy është regjimi dhe grumbullimi i mallakastriotëve, të cilët kanë afro dy javë që qëndrojnë të gjithë së bashku dhe duket se do të kërkojnë me patjetër rikthimin te tri pikët në këtë fazë kulminante dhe delikate të garës së Superiores.
E. SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"