Bylisi kërkon fitoren e parë për 2020-ën në kampionat, por ballshiotët kanë tri mungesa ndaj Laçit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2020 | 9:03

Bylisi kërkon fitoren e parë për 2020-ën në kampionat, por ballshiotët kanë tri mungesa ndaj Laçit

Skuadra ballshiote ka mbyllur dje përgatitjet dhe janë grumbulluar në kryeqytet në prag të sfidës me Laçin, që do ta luajnë sot në orën 14:00, në transfertë. Ende pa një fitore në kampionat në vitin 2020, Bylisi këtë mesjavë do të ketë një përballje direkte me Laçin për zonën europiane, që mund të jetë ndoshta dhe shansi i fundit për ballshiotët për të arritur objektivin, të paktën përmes kampionatit.bylisii

Sfida mes dy skuadrave, megjithatë, nuk është asnjëherë pa rivalitet, aq më tepër që Bylisi së fundmi eliminoi ekipin kurbinas edhe në Kupë. Ballshiotët në kampionat, gjithashtu, këtë sezon nuk kanë humbur kundër Laçit dhe ky mund të jetë një plus në aspektin e statistikave. Por, fakti që në 2020-ën nuk kanë fituar ende në kampionat, e bën të komplikuar situatën për skuadrën e Dovedanit. Laçi për më tepër ka pasur një situatë krejt të ndryshme në dy javët e fundit, duke përfituar maksimalisht dhe nga kalendari teksa ka fituar me dy skuadrat e fundit të tabelës, situatë që në të kundërt nuk e shfrytëzoi Bylisi kur kishte përballë Flamurtarin në fundjavë.

Bylisi këtë sezon ka treguar se ndaj të fortëve di të bëjë diferencën, ndërsa problemin e ka pasur me skuadrat, që në letër kanë qenë dukshëm më pak të favorizuara. Këtë e ka treguar edhe ndaj Laçit në Kupë, por edhe në kampionat. Fakti që do të luhet në shtëpinë e bardhezinjve sigurisht që favorizon Laçin, i cili kërkon të marrë suksesin e 3-të radhazi dhe për shkak se kampionatin e ka të vetmen dritare drejt Europës.bylisi

Bylisi deri tani ka treguar se atëherë kur pritet më pak, merr më shumë dhe ndeshja e sotme premton pa dyshim shkëndija në këtë aspekt. Ndërkohë, Bylisi do të ketë mungesa në sfidën e sotme dhe bëhet fjalë për lojtarë titullarë si Shkalla i pezulluar, Goxha e Peposhi të dëmtuar, shto këtu edhe Ndrecën e dëmtuar pikërisht në Laç, tri javë më parë në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"