“Bylisi im mendon vetëm fitoren, s’bëj llogari me kreun”, Dovedan: Na duhen tre pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2019 | 10:27

“Bylisi im mendon vetëm fitoren, s’bëj llogari me kreun”, Dovedan: Na duhen tre pikët

Trajneri i Bylisit, Veljko Dovedan, dhe skuadra që ai drejton sot duan 3 pikët e radhës. Në Ballsh vjen Skënderbeu, një kundërshtar shumë i fortë dhe me kualitete, pavarësisht pozitave në të cilat ndodhet aktualisht në klasifikim. Këtë porosi u ka dhënë edhe trajneri i Bylisit lojtarëve të tij në mbyllje të përgatitjeve për korçarët.

dovedan

Ballshiotët janë në vend të dytë dhe sot kanë shansin që të rimarrin sërish vendin e parë, qoftë edhe provizorisht. Megjithatë, Dovedan nuk e ka mendjen te kreu, por vetëm te Skënderbeu. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, trajneri i skuadrës ballshiote para sfidës me korçarët ka pohuar se ekipi i tij duhet të vazhdojë që të luajë mirë.

Më e lehtë të fitoni në Shkodër apo ta mundni Skënderbeun sot?

Janë dy ndeshje të ndryshme. Janë dy ekipe që kanë lojtarë me cilësi ndryshe, kështu që unë mendoj se edhe specifika e sfidës ka qenë ndryshe. Kemi punuar tërë javën që të bëjmë më të mirën tonë ndaj korçarëve. Natyrisht që është sfidë delikate, sepse Skënderbeu ka kualitete dhe ne nuk nisemi nga pozitat që ka. Për vetë situatën ku ndodhen ekipet, me një apo dy ndeshje mund të lëvizësh disa shkallë në renditje, në ngjitje apo zbritje.

Si është situata në Ballsh?

Kemi punuar mirë. Lojtarët që kam pasur gati kanë punuar me përkushtim dhe kjo më pëlqen. Përderisa ne jemi të përkushtuar për të bërë më të mirën dhe luajmë me dëshirë, më pëlqen kjo situatë dhe normalisht që edhe rezultatet nuk do të na mungojnë…

Keni pasur ngjeshje kalendari dhe më pak kohë se kundërshtari që të përgatisni ndeshjen, duke qenë se të hënën luajtët në Shkodër…

Jo, s’mendoj kështu. Mendoj se këto ditë që kemi pasur në dispozicion kanë qenë të mjaftueshme.

veljko dovedan

Sërish me mungesa, por mund të merrni një tjetër fitore?

Jo më kot e thashë edhe para Vllaznisë. Presidenca ka afruar shumë lojtarë në verë, të cilët gradualisht fillojnë e bëhen të dobishëm. Unë besoj se skuadra ime ka kualitete si në formacion ashtu edhe në stol, ndaj edhe e dinë ata që do të zbresin në fushë se na duhet të marrim më të mirën.

Nëse fitoni, merrni kreun…

Nuk mendoj për kreun. Dua që të fitojmë këtë ndeshje si ndeshje radhe. Kreu ka vlerë në fund. Ne duhet që të vazhdojmë të luajmë mirë, lojtarët të nderojnë veten dhe fanellën.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"