Bylisi i fortë në transfertë, titullari i ballshiotëve mban “peng” planet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2023 | 13:50

Bylisi i fortë në transfertë, titullari i ballshiotëve mban “peng” planet

Kur e ndajnë edhe dy ditë nga sfida e radhës me Vllazninë në “Loro Boriçi”, që do të zhvillohet ditën e shtunë në orën 15:00, Bylisi po u jep dorën e fundit përgatitjeve. Mallakastriotët në këtë sezon janë shfaqur edhe si një ekip transfertash, pasi kanë ditur që të fitojnë dhe të marrin pikë jashtë fushës së vet.

bylis

Kujtojmë që ballshiotët kanë marrë tri fitore, 2 në Laç dhe 1 në Rrogozhinë, si dhe kanë dy barazime në transfertë, konkretisht ndaj Teutës dhe Erzenit.

Fitoren e fundit në Shkodër Bylisi e ka regjistruar dy sezone më parë. Pikërisht në 12 mars të vitit 2021 në sfidën e vlefshme për Superioren, ballshiotët triumfuan 1-2 me golat e Spahiut dhe Bejit me penallti.

Afro dy vite më vonë, Bylisi rikthehet në Shkodër me pozitat e skuadrës, që do të kërkojë mbijetesën dhe me synimin për të dhënë më të mirën në një nga fushat më cilësore në vend. Gjithsesi, synimi kryesor është për të mos dalë duarbosh.

Nesër klubi pritet që të ketë një përgjigje edhe nga Xhoele Maçolli, nëse do të jetë ose jo për këtë transfertë të rëndësishme. Ai në ditët e fundit është stërvitur vazhdimisht i veçuar.

Në Ballsh është rritur edhe interesi për skuadrën, e cila ka zhvilluar lojëra të mira në pjesën e dytë të sezonit ndaj edhe në seancat stërvitore nuk mungojnë edhe tifozët vendas.

Ajo që vlen të theksohet është fakti se trajneri Shensoi është ende i paqartë për lojtarët dhe skemat që do të kërkojë të përdorë për të ndalur Vllazninë. Përveç mungesës së mundshme të Vllaznisë, braziliani Eskuerdinja do ta shohë nga televizioni këtë sfidë, pasi është i pezulluar për shkak kartonësh.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"