Bylisi i çudirave sfidon milionerët e Tiranës, ja strategjia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2018 | 20:44

Bylisi i çudirave sfidon milionerët e Tiranës, ja strategjia

Sezonet e fundit, Bylisi është imponuar fort në elitën e futbollit shqiptar. Pjesëmarrës i denjë me një futboll të bukur, talente që spikasin dhe jo pak fitime nga shitja e futbollistëve. Klubi, që përfaqëson një prej qyteteve me më shumë naftë në Shqipëri, kishte shanse që të ishte një ekip me buxhet të konsiderueshëm nëse pasuritë do të menaxhoheshin siç duhet dhe dashuria për futbollin do të ishte më e madhe.

tirana bylis

Megjithatë, edhe me pak shpenzime, Bylisi po ia del që të sfidojë milionerët e Tiranës. Ballshiotët kulmin e tyre e kanë në vitin 2013, kur mbërritën deri në finalen e Kupës së Shqipërisë, por u mundën nga Laçi duke mos arritur dot ta fitonin.

SUKSESI

Bylis ishte pjesë e Superiores dy vite më parë, ndërsa në dekadën e fundit, skuadra ka qenë pjesëmarrëse e rregullt në elitë. Një vit më parë, ballshiotët nuk ia dolën dot ndaj Lushnjës në ndeshjen finale, ndërsa këtë sezon po rivalizojnë fort me Tiranën për vendin e parë. Suksesi i skuadrës janë lojtarët e rinj që ka afruar gjatë sezoneve të fundit.

bylis

Portieri Konstandin Dramolli, mbrojtësi Mariglen Shoshi, mesfushorët Oliver Ntepe e Cukuka dhe sulmuesi Erald Kolgegaj janë boshti i skuadrës që luajnë prej dy sezonesh së bashku. Gjithashtu, te ballshiotët po spikat talenti Niko Zisi, i cili është edhe shënuesi më i mirë deri tani me tetë gola apo edhe Valentino Murataj. Ballshiotët kanë të tyrin edhe kosovarin Vesel Limaj, me të cilin kanë fituar edhe gjyqin në FIFA, pasi futbollisti javët e fundit i është bashkuar Kukësit.

Një ekip me jo shumë shpenzime dhe me sytë nga talentet, Bylis po ia del që të ruajë ritmin e Tiranës dhe pas 14 ndeshjes, skuadra është shtatë pikë më pak se bardheblutë dhe ka edhe një takim më pak.

Bylis Tomori

Bylis është e vetmja skuadër që e ka mundur Tiranën këtë sezon, madje e ka bërë në “Selman Stërmasi” në fazën e parë duke e thyer 1-0. Të dielën, Bylisi do të presë bardheblutë në Ballsh dhe ka shansin që t’i afrohet ndjeshëm. Një ndeshje që mund të vendosë shumë për të dyja ekipet.

PROBLEMET

Si çdo klub, edhe Bylis ka problemet e veta. Një prej mangësive të ballshiotëve është ndërrimi i shpeshtë i trajnerëve. Kur janë luajtur vetëm 14 ndeshje deri tani, Bylisi ka ndryshuar katër teknikë. Bylisi e nisi kampionatin me Bledar Devollin në stol. Por, gjirokastriti u largua pas tri ndeshjesh, ku skuadra kishte marrë dy fitore dhe një barazim. Pas tij u afrua Stavri Nica, por edhe ky qëndroi vetëm pak javë.

Troisi Laci

Gjatë janarit, klubi zyrtarizoi Marcelo Troisin duke deklaruar se kishte gjetur “timonierin” e duhur. Por, edhe braziliani qëndroi në krye të skuadrës vetëm dy javë. Tashmë, Sadedini është tekniku i katërt deri tani që do të drejtojë Bylisin këtë sezon. Gjithashtu, edhe një vit më parë, ballshiotët ndryshuan 5 trajnerë.

Aktualisht, president është Agron Kapllanaj, i cili është njëkohësisht edhe kryebashkiak i Mallakastrës. Por, vëllai i tij, Besnik Kapllanaj, që ka qenë president i skuadrës dhe dy vite më parë, është dënuar përjetë, por qëndron gjithmonë pranë ekipit, madje hyn në çdo stadium, pavarësisht dënimit.

BESAR BOZGO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"