Bylisi fiton në Kavajë, Besa reziston vetëm 82 minuta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2019 | 11:34

Bylisi fiton në Kavajë, Besa reziston vetëm 82 minuta

Besa ka zhvilluar miqësoren e parë qëkurse është grumbulluar, duke u mundur 0-2 në Kavajë nga Bylisi që këtë sezon u ngjit në Superiore.

67524503_2344050959045649_2927255984453713920_n

Verdhezinjtë me futbollistë të rinj, përjashto Mirakën e Perjen rezistuan plot 82 minuta dhe vetëm perla e Edison Ndrecës në një goditje dënimi rreth 25 metra hapi ndeshjen. Kavajasit treguan një nivel më të lartë se ç’pritej, ku ranë në sy lojtarë si Miraka, Perja, Cara apo shkodrani Shimaj. Te miqtë luajtën dhe afrimet e fundit si Ndreca, Qardaku e Mëllugja, të cilët ishin ndër më të mirët në fushë, duke treguar se janë afrime të qëlluara.

NDESHJA

Bylisi, pas humbjes shkatërruese me Tiranën 1-5, preferoi Besën për të matur forcat, ndoshta me mendimin se me djem të rinj mund ta mundte më lehtë. Nuk ndodhi kështu dhe trajneri Dovedan u habit dhe në fund të ndeshjes komplimentoi homologun e tij për nivelin që djelmoshat verdhezinj treguan.

Takimi nisi qetë dhe i barabartë, pasi përballë përvojës së Bylisit lojtarët kavajas kishin epërsi freskinë e moshës. Sinjalin e parë të miqve e jep Çardaku, që në minutën e 12-të vë 3 herë në provë Mirakën, por ky i fundit tregoi gjithë përvojën e tij duke evituar një gol të sigurt. Minutat në vijim nuk krijojnë dot raste të rrezikshme as për Bylisin dhe as dhe Besën.

Të dyja ekipet luftojnë fort në mesfushë, ku bie në sy loja e Peposhit e Mëllugjës te miqtë, ndërsa te Besa befason e bind shkodrani Shimaj me qetësinë e sigurinë në qendër të mbrojtjes. Për të ardhur në minutën e 23-të kur Onuh me kokë nuk gjen golin përballë portës. Në minutën e 33-të është Frenkin i miqve që i ardhur në ndihmë të sulmit godet fare afër me kokë, por Miraka edhe njëherë tregoi se mbetet shtylla e Besës. Mbyllet pjesa e parë me lojë të barabartë.

Në 45 minutat e dyta, të dy trajnerët aktivizuan lojtarët e stolit, me ndryshimin se Bylisi futi lojtarë të tillë si Ndreca, Bajramaj, Antoni, Murataj, ndërsa në krahun tjetër ishin “vogëlushë” si Rrushi, Kacbufi, Mecja, Deliu, Hazizi, Alillari e ndonjë tjetër. Këtu u bë edhe dallimi, sepse miqtë nisin të dominojnë takimin. Pavarësisht kësaj, të rinjtë kavajas rezistojnë deri në minutën e 82-të. Ishte Edison Ndreca që në këtë moment ekzekutoi në mënyrë perfekte dhe gjeti direkt rrjetën. Pas këtij goli, ballshiotët çlirohen dhe iu deshën vetëm 3 minuta për të gjetur të dytin. Ymeraliaj brenda zonës nuk e kishte të vështirë të shënonte. Nuk ka më raste e histori dhe Besa e mbyll me humbje miqësoren e parë, por duke bindur e dhënë sinjale të qarta të ambicies së saj.

Feriz Ferizaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"