“Bylisi do e mbyllte ndeshjen me më pak se 7 lojtarë nëse zbatohej rregullorja”, Daja kërcënon Tiranën: Do të futemi në fushë për të fituar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2020 | 16:13

“Bylisi do e mbyllte ndeshjen me më pak se 7 lojtarë nëse zbatohej rregullorja”, Daja kërcënon Tiranën: Do të futemi në fushë për të fituar

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, foli në konferencën e zakonshme për shtyp, para supersfidës ndaj Tiranës që do të zhvillohet ditën e nesërme ndaj Tiranës në orën 20:00. Tekniku i skuadrës korccare u shpreh optimist për këtë sfidë, ndërkohë që nuk nguroi të përmendte edhe sfidat ndaj Bylisit, të cilat trajnerit Daja duket se i kanë mbetur peng.

Daja]

“Është një ndeshje si të gjithë ndeshjet e tjera, pra është ndeshja e javës. Luajmë me kryesuesit e kampionatit që kanë bërë një kampionat të mirë dhe kanë një kontingjent që thuajse çdo pozicion e ka të dubluar. Ka një favor më shumë se ne, sepse në mesjavë në ndeshjen e kthimit me Besëlidhjan ka përdorur formacionin e dytë.

Vijnë nga një anë psikologjike goxha e mirë, por do të kenë përballë një Skënderbe që ka bërë mirë në kampionat, përveç humbjes në Ballsh që e dimë se si erdhi. Duhet të rikthehemi në atë pozicion që ishim më përpara sepse në fund fare, në përballjet me Tiranën gjatë këtij kampionati i kemi pikët e barabarta, një fitore një humbje dhe një barazim.

Po aq sa ka dhe Tirana me ne. Do të futemi në fushë duke kompesuar edhe mungesat që kemi. Kemi disa mungesa tepër të rëndësishme brenda formacionit bazë. Disa titullarë tonët nuk do të jenë nesër ndaj Tiranës. Pjesa tjetër e ka treguar që ka sakrifikuar me dëshirën dhe motivimin për të shkuar te fitorja.

Të sigurtë janë mungesat e komplet linjës së krahut të djathtë që tani nuk mund ta përsërisim çdo ndeshje. Deri në fund të kampionatit nuk do të jenë Meksi dhe Ndeki. Mungon Jashanica për arsye dëmtimi. U rikthye dje në stërvitje Pollozhani që do të jetë në pankinë. Jo vetëm si pozicion, por edhe si eksperiencë, mungesat janë të ndjeshme. Do të luftojmë me kontingjentin që kemi, për të bërë më të mirën dhe për të shkuar te fitorja.

Janë dhe shumë ndeshje të tjera. Po të shikosh edhe kalendarin ka përballje direkte edhe këtë javë. Nëse bëjmë një hap pozitiv do të ndihemi më mirë për të parë rezultatet. Duhet të futemi me mentalitetin fitues.

Unë jam trajner i Skënderbeut nuk e di çfarë do të ndodhë me futbollistët. Tani i kam të gjithë në dispozicion dhe luftojnë për Skënderbeun. Dita në këtë ndeshje është kampion i skuadrës dhe do të japë maksimumin deri sa të mbarojë kampionati. Kur kam qenë trajner i Tiranës kam dashur të fitojë me çdo ekip, të njëjtën gjë dua edhe tani.

Eliminimi nuk ka lenë shenjë psikologjike. Analistët e panë që edhe goli që na çoi drejt s’kualifikimit, vinte nga një faull. Ishte karton i verdhë për lojtarin. Ne kishim në dispozicion 4 zëvendësime. Ana psikologjike nuk ka rënë, jemi eliminuar duke pasur shumë raste me një kundërshtar të fortë si Bylis.

Nëse do të merremi me vendime teknike të arbitrave do bënim një dëm. Nuk duhet të krijojmë alibi për lojtarët. Arbitrat duhet të kenë kujdes në lojën e dhunshme. U pa që në ndeshjen e kthimit ekipi jonë mori 3 kartonë të verdhë. Nëse do të zbatohej rregullorja Bylisi do të ishte me më pakë se 7 lojtarë në fushë”, u shpreh Daja.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"