Bylisi bën çudira, të shtunën projekton miqësore me Apoloninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 13, 2020 | 9:38

Bylisi bën çudira, të shtunën projekton miqësore me Apoloninë

Bylisi ishte duke kryer stërvitjen në momentin që në klub ka mbërritur lajmërimi nga FSHF për pezullimin pa afat të kampionatit.

bylisii

E megjithatë, seanca ka vazhduar e do të vazhdojë deri në fundjavë. Trajneri Dovedan dhe skuadra do ta respektojnë programin, e madje kanë menduar që të luajnë edhe një ndeshje miqësore të shtunën me Apoloninë e Fierit, të paktën deri tani ky test është në plan nga akordi që kanë gjetur dy klubet dhe stafet respektive.

Trajneri Veljko Dovedan, i kontaktuar nga “Panorama Sport”, flet për ndërprerjen e garës. “E morëm vesh në stërvitje që pezullohet kampionati. Kemi qenë në kushte grumbullimi e tërë skuadra gjithë javës e natyrisht duke respektuar prej dy ditëve të fundit edhe masat e forta për higjienën.

Presidenca na ka krijuar kushte, sepse dihet që disa lojtarë janë të grumbulluar në hotel, disa kanë shtëpi në Ballsh dhe në Fier që u janë siguruar nga klubi. Normalisht që ne ishim përgatitur që të luhej, por kur bëhet fjalë për një virus, ne do ta zbatojmë rregulloren e federatës dhe organizmave të tjerë”, tha Dovedan.

SKUADRA – Dovedan, i pyetur edhe për ecurinë e Bylisit deri tani, ka dhënë mendimin e tij. “Na ka munguar fati. Skuadra ka pasur raste, madje e kanë parë të gjithë që ka shpërdoruar edhe penallti dhe kjo vjen nga mungesa e fitoreve që është kthyer në ngërç javë pas jave.

Lojtarët aty janë, impenjimi në stërvitje vijon të jetë si më parë, kështu që më besoni, nëse marrim një fitore në ndeshjen e radhës, do të shohim atë Bylisin e pjesës së parë të sezonit. Pastaj mos harroni, u dëmtua Ymeralilaj në pjesën e parë, u dëmtuan Peposhi e Ndreca apo dhe Bivaj e Goxhaj. Me kontingjentin që ne kemi, e kemi shumë të vështirë që të improvizojmë dhe skuadra të jetë e njëjtë.

Por, tashmë që grupi është i plotë, besoj se edhe kjo ndërprerje na shërben, sepse do të jemi me skuadër më të plotë e për më tepër që edhe tifozët do t’i kemi. Ne kemi dy ndeshje në shtëpi, me Tiranën e Teutën. Imagjinoni t’i luajmë pa tifozë, është me të vërtetë ndikuese te skuadra jonë”, tha Dovedan

PROGRAMI – Trajneri është pyetur se çfarë do të bëjë skuadra duke qenë se tashmë gara është pezulluar. “Po ne kemi siguruar një miqësore në Fier. Do të jetë një test që na vlen, sepse tashmë kampionati është në kulmin e vet dhe lojtarët e kanë të domosdoshme që të luajnë.

Kemi menduar me Apoloninë, duke qenë se jemi afër. Skuadra do të vazhdojë programin deri ditën e shtunë. Pastaj, për sa i përket vijimit, duke parë se çfarë do të ndodhë, do të bëjmë edhe ne si të gjithë”, tha trajneri i Bylisit, Dovedan.

Erjon Saliu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"