Bylis vazhdon me prezantimet, përforcime nga Austria për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2021 | 10:52

Bylis vazhdon me prezantimet, përforcime nga Austria për elitën

Bylis vazhdon me prezantimet. Veç Biringuetës (që ka ditë që i është bashkuar grupit), kanë zyrtarizuar një tjetër përforcim. Këtë herë vjen nga Austria dhe bëhet fjalë për Ismet Osmanin, shqiptarin e lindur në Zvicër. Lojtari është i datëlindjes 21 dhjetor 2000 dhe ka të dhëna mjaft premtuese.

ismet osmani

Për dy sezone është aktivizuar në kampionatin austriak, konkretisht te Lustenau. Ai ka disa ditë që ka zbarkuar në qytet, por është federuar me skuadrën U21. Pasi të debutojë me “Shpresat”, do të përdoret edhe prej ekipit të parë nga Jeton Beqiri. Mallakastriotët janë të blinduar tashmë nga porta në sulm dhe nuk u mbetet tjetër veçse të vijojnë rrugëtimin drejt elitës. Sezonin e nisën ashtu si duhet, ndonëse e dinë që ky kampionat do të jetë “malore” e vërtetë.

As kalendari nuk është fort dashamirës, pasi direkt i ka vendosur përballë me skuadra që kanë synime të mëdha. Pasi kaluan me sukses transfertën me Besëlidhjen, “provimin” këtë javë e kanë në Shijak.

biringueta

Do të jetë një 90-minutësh më shumë se delikat, pasi Erzeni është një nga skuadrat që ka hedhur kandidaturën për të kapur Kategorinë Superiore. Mungesa e vetme është ajo e Xhoi Carkanjit, i cili mori të kuq (pas dy të verdhëve) në Lezhë.

Por, stafi teknik është i qetë. Edhe pse ka pasur largime të rëndësishme, janë kompensuar më së miri nga prurjet e verës. Edhe kjo sigurisht ka kostot e veta, afrimet duan kohën e vet për t’u ambientuar dhe bërë “njësh” me grupin. Trepikëshi i marrë në start ka rritur edhe interesin e tifozëve. Ata kanë qenë më të shumtë në seancat stërvitore, por për të parë në “Adush Muça” ekipin e zemrës, duhet të presin javën e tretë të Kategorisë së Parë. Fill pas transfertës shijakase, do të presin Turbinën.

ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"