Bylis, triumf shprese në Pukë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 9, 2016 | 23:32

Bylis, triumf shprese në Pukë

Java e 29-të kishte rezervuar përballjen e mbi jetesës mes dy skuadrave që renditen të fundit në tabelën e klasifikimit. Bylisi ka arritur të marrë një trepikësh të artë në Pukë, pasi barazon përkohë- sisht Flamurtarin që do të zbresë sot në fushë për takimin e kësaj jave kundër Partizanit.bylisPër të siguruar fitoren përballë Tërbunit, Bylisi është mjaftuar me një gol të realizuar nga Amir Bilali, i cili ka shënuar me kokë pas një krosimi të Peposhit në minutën e 21-të.

Një ndeshje e kushtëzuar ndjeshëm edhe nga terreni i rënduar dhe që në fund ka bërë që ballshiotët të regjistrojnë triumfin e dytë në transfertë. Kur mbeten edhe shtatë javë, Bylisi ngjitet në kuotën e 24 pikëve, njësoj sa edhe Flamurtari, ndërkohë që Tërbuni mbetet në pozita të njëjta të rënduara.

Pjesa e parë Një takim i nisur me ritëm dhe ku të dyja skuadrat kanë kërkuar të vendosin autoritet për të marrë frenat e lojës në dorë. Lojë e shpejtë, aksionet e së cilës pengoheshin së tepërmi nga pellgjet në anët e fushës së stadiumit “Ismail Xhemali”.

Pas disa tentativash pa shumë rrezikshmëri, është Izuçuku që do të provojë në të 16-tën, por Kuka i përgjigjet. Pesë minuta më vonë, Peposhi arrin të shpërthejë në të majtë, me gjithë vështirësinë e terrenit të rënduar, kroson në zonë një top aty ku Bilali kërcen mbi të tjerët për të goditur me kokë.

Topi i përplasur në tokë “mashtron” portierin Kuka dhe ballshiotët shpërthejnë në festë. Gëzim legjitim për insistimin që kanë treguar gjatë gjithë takimit për të marrë maksimumin në këtë ndeshje. Gol që do të çlirojë disi të besuarit e Zildzoviç, por që nuk do të pranohet lehtë nga vendësit.

Pavarësisht tentativës për reagim nga Tërbuni, është sërish Bylisi që provon edhe një herë me Bilalin, këtë herë nga një goditje dënimi, por sfera e goditur prej tij përfundon jashtë kuadratit. Vazhdimi i minutave të mbetura në fraksionin e parë do të mund të finalizohej me golin e nokautit për miqtë, por Kuka është më i shpejtë se Hoxha në një duel shpejtësie në kufijtë e zonës.

Pjesa e dytë Takimi do të nisë sërish me ritëm dhe dëshirë për të treguar superioritet karshi kundërshtarit. Me gjithë dëshirën dhe grintën e shfaqur, vendësit nuk gjejnë forca për të rrezikuar portën e Frashërit. Gavazaj provon të harkojë në zonë në minutën e 61-të, por mbrojtësit e Bylisit nuk lejojnë rrezik në portë.

Dy minuta në vazhdim do të ketë tentativa të tjera, por sërish pa asnjë rrezik në kuadratin e Kukës. Është Karakaçi që do të harkojë në zonë bukur për Markun, por goditja e këtij të fundit brenda zonës përfundon mbi traun e portës. Me këtë trepikësh, Bylisi rihap edhe një herë garën në fundin e klasifikimit, ndërkohë që lojtarët e Tërbunit vijojnë që të sakrifikojnë për të luajtur ndershëm, pavarësisht rezultateve negative radhazi.

TËRBUNI BYLIS 0-1
GOLI Bilali 21′
TËRBUNI: Kuka, Fangaj, Danaj, Beci, Kaçaj, Dedyn (Perreira 75′), Gavazaj, Tushe, Karakaçi, Lala (Jovanoviç 54′), T.Marku (Marinaj 68′). (Në dispozicion: Rudoviç, Kule, Cena, H.Marku). Trajner: Viktor Gjoni
BYLIS: Frashëri, Brahja, Dukiç, Alla, Bilali, Peposhi, Muskaj, Tahiri, Hoxhaj (Mustafaraj 90+2′), Varea, Izuçuku (Mbella 66′). (Në dispozicion: Ruci, Pepa, Gava). Trajner: Adnan Zildzoviç
KARTONË TË VERDHË: Gavazaj 65’/ Dukiç 45′
VEZHGUES: Prek Pjetrushi /
DELEGAT: Bujar Pregja
GJYQTARET K.Kola, E.Pashaj, R.Malaj (Vlorë)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"