Bylis kundër FSHF-së: Mund të mos shkojmë në Pogradec

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 25, 2016 | 11:05

Bylis kundër FSHF-së: Mund të mos shkojmë në Pogradec

Klubi i Bylisit shpreh pakënaqësinë për mosrespektimin e të drejtave nga ana e FSHF-së. Ballshiotët e kanë ngritur disa herë zërin, por duket se askush nuk i ka dëgjuar, edhe pse shpesh janë dëmtuar këtë edicion nga gjyqtarët. Në fakt, në katër sezonet e fundit, klubi i Bylisit është ndier edhe i persekutuar nga ana e gjyqtarëve.

Bylis 2016

Por, rasti më i fundit ka të bëjë me shtyrjen e ndeshjes, Pogradeci-Bylis, vetëm 24 orë para, kur skuadra po mbyllte përgatitjet dhe nesër (sot) do të nisej drejt Pogradecit për t’u akomoduar pasi ishte prenotuar edhe hoteli.

Deklarata

Administratori i klubit, Daniel Mustafaraj, reagon dhe denoncon mënyrën e padrejtë se si po trajtohet skuadra ballshiote edhe këtë sezon: “Më datë 24, jemi njoftuar me ‘e-mail’ nga zyrtarë të FSHF-së, së ndeshja e javës së 10-të, Pogradeci-Bylisi, që do të zhvillohej ditën e shtunë në stadiumin ‘Gjorgji Kyçyku’, ishte shtyrë për një ditë më vonë, të dielën.

Ky vendim i marrë në mënyrë të njëanshme, ka shkaktuar jo vetëm dëm në përgatitjen e ekipit, por edhe ekonomik! Presidenca e klubit tonë, siç edhe është e shkruar me detaje në shkresën zyrtare që i kemi nisur FSHF-së, kishte prenotuar dhe paguar hotelin ku do të akomodohej nesër (sot), hotel ‘Royal’. Madje, siç ndodh zakonisht, është bërë edhe pagesa në formë paradhënie, për shkak të fluksit të madh që ka qyteti i Pogradecit në fundjavë nga turistët.

Ky keqmenaxhim, vjen edhe për shkak se FSHF nuk e ka respektuar vetë rregulloren e saj. Referuar nenit 103, Pika 1, të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, thuhet shprehimisht se: “Federata do të konsultohet paraprakisht me klubet e përfshira”. Ju garantojmë se nuk na është kërkuar asnjë mendim për shtyrjen e kësaj ndeshjeje. Pra, kjo tregon qartë se, sidomos me klubin tonë, FSHF nuk është bashkëpunuese.

Nuk e dimë pse zgjedh vazhdimisht një rrugë të tillë ndaj klubit tonë. Ngelet vetëm të shkojmë ditën e ndeshjes në Pogradec, ose të mos shkojmë fare. Klubi ka një bord dhe nuk mund të justifikohen lekët e hotelit”, ka thënë Mustafaraj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"