Bylis ka luksin për rotacion ndaj Shkumbinit, Beqiri: Kërkoj fitoren e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2021 | 9:53

Bylis ka luksin për rotacion ndaj Shkumbinit, Beqiri: Kërkoj fitoren e radhës

Bylisi ka mbyllur përgatitjet dhe është gati për javën e 10-të. Sot udhëtojnë në Peqin, atje ku i pret Shkumbini.

Jeton Beqiri

Misioni mbetet i njëjtë, të sigurojnë fitoren e radhës. Trajneri Jeton Beqiri beson te vazhdimësia, ndërsa i gëzohet faktit që e ka grupin të plotë dhe më të karikuar se kurrë. Për “Panorama Sport”, ai ka pohuar:

“Tashmë kemi harruar Apoloninë. Menjëherë pas ndeshjes me Fierin, unë e kam nxjerrë skuadrën në stërvitje për t’u përgatitur për sfidën e radhës. Si është një ekip nuk është një tjetër. E rëndësishme është që grupin e kam të plotë. Nuk e kam vendosur ende nëse do të bëj rrotacion. Do shoh situatën deri para se të nisë ndeshja dhe për fat alternativat nuk na mungojnë. E vlerësojmë dhe e respektojmë Shkumbinin.

bylis

Është një ekip i konsoliduar, me elementë cilësorë dhe në fushën e vet ka treguar se është kockë e fortë. Ne do të japim më të mirën tonë dhe djemtë e kanë të qartë këtë. Synim është vazhdimi i ecurisë pozitive dhe rezultateve që na bëjnë të mbajmë kreun. Si trajner uroj që të jetë një ndeshje korrekte në radhë të parë dhe në fushë të fitojë ekipi më i mirë”, përfundoi numri një i pankinës për “Panorama Sport”.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"