Bylis ironizon Lushnjën: Nuk shkohet në Superiore me sufllaqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2017 | 14:51

Bylis ironizon Lushnjën: Nuk shkohet në Superiore me sufllaqe

Përtej luftës në fushë, Bylisi dhe Lushnja duket se do të përballen fort edhe jashtë saj. Dhe gjakrat kanë nisur të nxehen që tani, edhe pse është ende shpejt për dy takimet që do të luajnë këto skuadra mes tyre në këtë fazë të tretë.

Lushnjarët këtë javë janë pushim dhe e gjithë vëmendja e tyre do të përqendrohet në Peqin, ku Shkumbini vendës do të presë Bylisin. Verdhejeshilët do të shpresojnë te ndonjë ndalesë e ballshiotëve. Ndërsa, klubi i Bylisit ka vendosur ta zhvendosë “luftën” jashtë fushe me deklarata.

Bylis postimi tall Lushnjen

Në një reagim në faqen zyrtare të Bylisit në “Facebook” ironizohet ndaj Lushnjës, duke u thënë se nuk shkohet në Superiore me borxhe dhe sufllaqe. “Gallatë e madhe! Janë mësuar të fitojnë qyl dhe presin vetëm qyle! Kërkojnë nder në Peqin, e kush tjetër, lushnjarët. Ata që tri javë më parë ua hapën portën! Keni turp apo nuk keni?! Nuk shkohet në Superiore me borxhe dhe sufllaqe, as me gjyqtarë. Bëhuni gati të lini kreun në Ballsh se aq ju mbajnë gjunjët!”, shkruhej në statusin e klubit ballshiot.

Ashtu si dy vite më parë, këto dy ekipet duket se do të luftojnë mes tyre për vendin e parë në grup që i dërgon në Superiore. Aktualisht, Lushnja është në krye me pesë pikë më shumë se Bylis, por ballshiotët kanë një ndeshje më pak që do ta luajnë në fundjavë ndaj Shkumbinit. Më pas, do të luhet takimi i parë direkt mes këtyre ekipeve për fazën e tretë. Dy sezone më parë, Bylisi fitoi takimin e fundit në Lushnjë duke siguruar në këtë mënyrë ngjitjen në elitë.

Një takim i zhvilluar në “Roza Haxhiu”, ku lushnjarëve u mjaftonin dy rezultate, barazimi dhe fitorja, por nuk arritën asnjë. Në atë sfidë, Mikel Canka humbi një penallti për Lushnjën kur takimi ishte 0-0, ndërsa Shoshi realizoi një eurogol duke i siguruar suksesin Bylisit. Duket se edhe këtë vit, dy skuadrat do të rivalizojnë me njëra-tjetrën deri në fund për vendin e parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"