Bylis dhe Tërbuni në podium, ja notat e skuadrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2016 | 14:10

Bylis dhe Tërbuni në podium, ja notat e skuadrave

image-355Kukësi 8 – Katër gola të shënuar ndaj Flamurtarit janë shumë, pavarësisht faktit se miqtë mbetën në inferioritet numerik. Gjysmë note e shtuar nga sasia e golave, por gjithsesi verilindorët duhet që të përsërisin këtë fitore edhe në vazhdim, nëse duan të mbeten në garë për Europën nga kampionati.

Tërbuni 8 – Të mundësh Partizanin nuk është aspak e lehtë, por ta barazosh atë në shtëpi, e ka bërë fakt Tërbuni në javën e 23-të. Edhe pse me shumë vuajtje dhe presion nga ana e të kuqve, skuadra me në stol Alcanin, një ish-kapiten i demave, kanë arritur ta mbajnë të paprekur portën e tyre. Pikë e artë, që shërben edhe për moral.

Bylis 8 – Me një vendim edhe më të drejtë të gjyqtarit, në momentin e Osmanit, ndeshja mund të shkonte në shifrat 2-0. Gjithsesi, barazimi përballë kampionëve në fuqi dhe kryesuesve të kampionatit është tregues force për Bylisin e Zildzoviçit, që po bën paraqitje me të vërtetë pozitive së fundmi, pavarësisht se nuk ka qëndrueshmërinë që do t’i garantonte mbijetesën.

Vllaznia 6.5 – Gabimet e gjyqtarëve po diskutohen shumë dhe te skuadra shkodrane nuk po mungojnë gabimet kundër. Një gol që në minutën e 11-të do të kishte çuar ndeshjen në të tjera rrjedha. Të vjedhur? Deri diku po, por gjithsesi ata që kanë pranuar të veshin fanellën e Vllaznisë, duhet të provojnë të japin më shumë sa kanë mundësi reale. Ia imponon historia e klubit…

Teuta 6.5 – Erdhi në Tiranë për të mos dalë duarbosh dhe ia doli. Skuadra e Maganit e ka kryer me sukses misionin e kësaj jave, pasi luante në transfertë me rivalen direkte për titull dhe nuk humbi. Për të bërë një llogari të shkurtër, në fazën e katërt, kjo përballje luhet në Durrës…

Tirana 6 – Të barazosh me Teutën nuk është dobësi, por kur ajo është rivalja direkte për Europën dhe kur ndeshja zhvillohej në “Selman Stërmasi”, atëherë bardheblutë mund të konsiderohen se kanë bërë hap të gabuar. Vijojnë të jenë të brishtë në sulm, por realiteti është i tillë që rastet nuk i kanë pasur të pakta. E radhës është derbi…

Laçi 5- Gjysmë note më pak, për vetë faktin se rezultati duket i gënjeshtërt, nga ajo që tregon moviola. Ka humbur shumë nga grinta që karakterizonte kurbinasit dhe me largimin e Xhejmsit duket se rastet për gol janë thuajse me pikatore.

Partizani 4 – Ka marrë pikë në transfertë, por kur përballja ishte mes një ekipi për titull dhe një tjetri për mbijetesë, atëherë nuk mund të ketë tjetër, veçse notë jo kaluese. Shumë raste, pak konkretizim dhe pikë të çuara dëm.

Skënderbeu 3.5 – Gjysmë note më pak, nisur nga ajo e Partizanit dhe për faktin që nuk shfrytëzuan hapin fals të të kuqve. Jo vetëm kaq, por edhe në moviolë kanë sërish raste që i rëndojnë pozitat.

Flamurtari 3 – Nuk arrin të vlerësohet as me sasinë e golave që ka pësuar. Veprimet e lojtarëve e lanë në inferioritet numerik, megjithatë ndeshjet që kalojnë, jo vetëm që rëndojnë pozitat me pikë, por edhe golavarazhin e skuadrës vlonjate.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"