Buxhetet bashkiake duhet të ndryshojnë destinacion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 19, 2022 | 21:49

Buxhetet bashkiake duhet të ndryshojnë destinacion

NGA PETRIT STEFA
Për politikat sportive gjatë këtyre 30 viteve gjithnjë ka pasur një shqetësim të pjesshëm dhe nga pak specialistë. Shumica kanë vazhduar të flasin dhe veprojnë (qoftë edhe duke heshtur) si të ishin në sistemin socialist të dikurshëm kur shteti bënte gjithçka: ligjet, paratë, organizimin, shpërblimet etj. Ka ndryshuar sistemi ekonomik, por mendësia për zhvillimin e sportit është po ajo. Me të njëjtat institucione, me të njëjtën mënyrë drejtimi dhe organizimi, me të njëjtët tipa drejtuesish që s’njohin asgjë nga organizimi i sportit në shoqërinë kapitaliste.

petrit stefa

Nuk gjenerojnë asnjë ide ose politikë zhvillimi, por nga “karriget honorifike” ata dhe “entourage”-et e tyre nuk shkulen. Si rrjedhojë, gjendja e sportit në Shqipëri qëndroi në vend ose bëri hapa prapa. Por, ja që pak ditë më parë, kryeministri i Shqipërisë paraqiti politikën e re të zhvillimit të një pjese të sportit në Shqipëri. Fjala është për një ndryshim rrënjësor të sportit amator në basketboll e volejboll dhe pikërisht të themeleve të tij. Në qoftë se nuk gaboj, them se është fjala për një revolucion që ngjason me organizimin e sportit amerikan (brenda një shteti) të shkollave (të ulëta dhe të larta), kolegjeve universitare dhe universiteteve.

E vërteta është se fjalët “sport shkollor”, “sport amator”, “sporti për të gjithë” i kemi lexuar te ligji “Për sportin” (neni 3, pika 22-23), por asnjëherë nuk i kemi parë çfarë kanë bërë, si kanë vepruar madje, nuk dimë se kush janë presidentët, kryesitë etj. Ne njohim termin “sport profesionist” (atavizëm i mbetur nga koha e kaluar), federata sportive dhe presidentët e tyre. Kësaj here qeveria dhe idetë e kryeministrit (kërkoj ndjesë nëse gaboj, por e kam dëgjuar këtë ide 4-5 vite më parë, pas një kthimi të tij nga SHBA) tronditin buxhetet e bashkive të cilat kanë bërë e ç’nuk kanë bërë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Pak specialistë të sportit, por shumë qytetarë të thjeshtë, gjithnjë kanë shprehur shqetësimin se paratë e taksapaguesve shqiptarë që mbushin buxhetet e bashkive shqiptare po shkonin dëm në mënyrë propagandistike, korruptive, klienteliste ndoshta edhe më keq. Futbolli ka gllabëruar miliona dhe miliona (Më kujtohet shumë kohë më parë, po kjo gazetë ka botuar një fotomontazh në faqe të parë ku paraqitej dollari amerikan ku në vend të fytyrës së G. Washington-it, ishte ajo e një kryetari bashkie me okelion “1 miliard dollarë” ndoshta që ishin harxhuar për futbollin e atij qyteti atë vit, bashki+sponsor).

Rezultati: asnjëherë nuk kemi pasur futboll cilësor vendas ose sporte të tjera në 32 vitet e fundit. Një e vërtetë kjo që nuk pranohet vetëm nga presidentët e federatave shqiptare, veçanërisht të lojërave me top dhe nga disa kryetarë bashkish që ngopen me “kenotomi” ose mburren se u varin në qafë lojtareve të huaja medaljet që ëndërrojnë vendëset. Sepse, mjafton të largohen lojtarët e huaj që luajnë në Shqipërinë tonë të varfër (nga basketbolli, volejbolli dhe futbolli) dhe këto sporte dalin lakuriq “kockë e lëkurë”, paçka se presidentët dhe k/bashkiakët flasin për të kundërtën. Ndoshta ngaqë nuk kuptojnë asgjë nga ai sport që ata drejtojnë. Pra, e vërteta është që për sportin janë harxhuar jo pak para për një vend të varfër, siç jemi ne. Çdo taksapaguesi, përfshi edhe mua, i vjen shumë keq (deri në revoltë) që këto para janë harxhuar, nëpër vite, në disa drejtime totalisht të gabuara propagandistike, klienteliste për interesa okulte.

Le të përimtojmë rrëmbimthi buxhetet e bashkive shqiptare vetëm për vitin 2021. Në vitet e shkuara situata ka qenë e njëjtë, në mos edhe më keq. Në fillim të vitit të kaluar një shkrim redaktorial, i po kësaj gazete, shpaloste buxhetet e bashkive të Shqipërisë (mund t’i shohë kushdo edhe sot në internet), të cilat kapnin shumën 14,6 milionë euro/në vit të marra së bashku. Ishte një shifër impresionuese për çdo qytetar shqiptar, kur mendon se me ato para, vetëm të 1 (një) viti mund të bëheshin në Shqipëri 100 fusha futbolli ose 584 palestra me parket, ose 912 fusha tenisi, ose 36 pista atletike etj., etj. (Shih: “Panorama Sport”, mars 2021). Shkrimi, për fat të keq, kaloi në heshtje. Ndoshta ngaqë po afroheshin zgjedhjet e 25 prillit.

Por, e vërteta është që nuk foli asnjë nga njerëzit e sportit. Jam i sigurt që asnjë taksapagues shqiptar nuk do të ishte dakord që këto para të harxhoheshin në këtë mënyrë si deri tani, por ata nuk i ka pyetur askush. Janë këshillat bashkiakë që vendosin. Le të sjellim shembull Bashkinë e Vlorës, një ndër “kampionet” për buxhet të lartë të sportit pas Tiranës. Në vitet e fundit harxhonte për klubin shumësportësh (me 20 lloje sportesh!!??)), 400 milionë lekë/vit për të gjitha sportet e organizuara nga ai. Kujdes! Pa llogaritur futbollin. Nga ato, 183 milionë i ka shpenzuar për administratën (d.m.th. rreth 45%) e cila në Vlorë quhet shpesh “Ndërmarrja ujësjellës nr. 2” sepse ka aq nëpunës sa asnjë klub tjetër shumësportësh në Shqipëri (vetëm inspektorë ka 5 (pesë)). Kurse vetëm për skuadrën e basketbollit femra, në 10-15 vitet e fundit, ku pa pushim çdo vit janë aktivizuar 4-5 lojtare serbe dhe 3-4 jo vlonjate, janë shpenzuar të paktën rreth 800-900 milionë lekë (llogarinë po e bëjmë me rreth 60 milionë në vit, siç është ai i vitit 2021 pa llogaritur aspak sponsorët).

Rezultati: sot në klubin shumësportësh Flamurtari pa lojtare të huaja, nuk ekziston fare skuadra e basketbollit, dikur “enfant prodige” (fëmija i përkëdhelur) i qytetit sa e kishte zili edhe futbolli pas të cilit vlonjatët janë “të marrosur”. Kjo skuadër, pas vitit 1995, ka dalë 8-9 herë kampione e Shqipërisë (nga 20 tituj që ka ajo), por vlonjatët edhe sot e kësaj dite përmendin emrat e basketbollisteve vlonjate të viteve të kaluara. Madje, i nderojnë shumë përveç bashkisë me kryetarët dhe këshillat bashkiakë të tyre. Sikur të mos mjaftonte vetëm kjo, me një pjesë tjetër të buxhetit (rreth 35%) Bashkia e Vlorës mbështet financiarisht edhe disa skuadra, totalisht private që sigurisht stërviten në terrenet sportive shtetërore që administron shumësportëshi i Vlorës. Duke u kthyer edhe një herë te buxheti bashkiak, patjetër që ky është paradoks i vërtetë dhe unik në Evropë që të harxhohen paratë e taksapaguesve shqiptarë në këtë mënyrë. Ata që janë skeptikë dhe nuk e besojnë këtë fakt le “të hidhen një vrap” e të pyesin bashkitë e Shkupit, Barit, Athinës, por edhe të Sofjes, Bukureshtit, Talinit, Bakusë etj., se ç’bëjnë ato me paratë e taksapaguesve të tyre (Le të mos flasim për qytete të vogla europiane si Kale e Francës me futbollin e saj amator fantastik të vitit 2004! Në qoftë se nuk gaboj mbërriti në ¼ finale!). A japin para këto bashki për sportin profesionist? Si e kanë zgjidhur ata këtë problem? Cila është arsyeja që është gjetur kjo “Eldorado” në Shqipëri nga sportistët e huaj? Le të mos përmendim pastaj që këto modele janë lojtarë tejet të zakonshëm me pagat e të cilëve abuzohet lehtësisht. Prandaj, politika e re për “sportin amator” është e shkëlqyer dhe besoj nuk do të ndalet papritmas në mes të rrugës dhe as do të ketë kundërshti nga disa organe tradicionale të sportit siç janë federatat sportive të basketbollit dhe volejbollit të cilat do të shfaqin shqetësimin për sportin “profesionist”.

Për atë duhet të jemi të gjithë të shqetësuar. Po ai nuk është objekt i këtij shkrimi. Sigurisht është problem i madh, por modele ka plot në Europë. Fillimet patjetër që janë të vështira, por ato do të ndihmohen nga dëshira për këtë evolucion, nga vullnetarizmi i patundur i mësuesve, trajnerëve dhe drejtuesve etj., të mbështetur nga DAR-et e qyteteve dhe qarqeve. Pas kryeministrit, edhe presidenti i KOKSH-it, F. Ylli, e sqaroi mirë këtë politikë të re të qeverisë për sportin në shkolla sepse vjen pikërisht nga bota e sportit dhe e njeh shumë mirë atë dhe sportin në kapitalizëm. Ç’do të thotë kjo politikë në thelb? Kjo do të thotë, thjesht, që në një qytet shqiptar të mos ketë vetëm 1 (një) skuadër basketbolli ose volejbolli (m+f) të moshës U-16, por aq skuadra sa shkolla 9-vjeçare ka ai qytet. Kështu, në qytetin e Vlorës i cili ka 10 shkolla 9-vjeçare dhe 5 shkolla të mesme (publike+private) do të kishim 60 skuadra sportive amatore (m+f, basketboll dhe volejboll), për moshat U-16 + U-18 d.m.th. 60×15=900 fëmijë (sot i quajmë paratërinj dhe të rinj), të cilat do të zhvillojnë ndeshje midis tyre ose ndërmjet qyteteve të afërta, madje të shoqëruara nga bashkënxënësit e tyre, prindërit, mësuesit etj., etj. Shkurt, një festë e vërtetë. Është një masivizim i vërtetë, gati ëndërrimtar, i mundshëm. Por, më e rëndësishmja është ajo që “për stërvitjen paguan shteti dhe jo familjet shqiptare” dhe po shteti paguan edhe trajnerët përkatës.

Kujtojmë se shumica e prindërve 80-90% në basketboll dhe volejboll i çojnë fëmijët në këto sporte vetëm për argëtim dhe edukim. Në futboll kanë ëndrra edhe shumë të mëdha që “mbeten në sirtar”. Shkurt, qeveria jep një ndihmë të madhe për fëmijët, për familjet e tyre si dhe për ata që do të punojnë, d.m.th. vende pune. Natyrisht do të lindin një varg problemesh që kërkojnë zgjidhje që, në qoftë se nuk i dimë, “mjafton të marrësh modele nga shtete të tjera”, siç propozon edhe Jetmir Halilaj në shkrimin e tij “Tri lëvizje dhe një ministri për të zhvilluar sportin” (që gjithashtu kaloi në heshtje vitin e kaluar) ku ngriheshin plot probleme të tjera që ishin pikënisjet për ndryshim. Heshtje! Sa keq! Natyrisht, lindin disa probleme në politikën e re të qeverisë. Ndoshta janë shumë, por ja disa:
1-Si do të organizohet nga DAR-i funksionimi i kësaj politike?
2-Si duhet të organizohen klubet sportive shumësportëshe në organika, detyra, të drejta, përgjegjësi tani që nuk do të kenë ekipe U14, U-16, U-18 (m+f, B+V)?
3-A do të ketë një skuadër përfaqësuese p.sh. qyteti i Vlorës për moshën U-18? Cila do të jetë ajo? Kush e formon dhe e drejton?
4-A do të ketë kampion kombëtar p.sh. për U-18? Si do të dalë?
5-Lojtarët e rinj, të talentuar, që kanë synime për më lart, janë të shpërndarë dhe kjo nuk e ndihmon përparimin e shpejtë të tyre. Si do të gjendet zgjidhja për stërvitje më cilësore?
6-A do të kenë “bonuse” për sportistët universitarë?
7-Si do t’i organizojmë skuadrat e fëmijëve 8-12-14 vjeç? Në shkolla apo shoqata?
8-A do të ketë një skuadër elitare qyteti? A do të paguajnë sportistët deri 18 vjeç, në këtë skuadër elitare (si kudo në botë) apo do të përdoret sponsori (si SHBA), gjë që fëmijëve u kushton vetëm 110 euro/vit (stërvitja dhe ndeshja), ndërsa në Tiranë në disa ekipe të tilla paguhet rreth 350 euro/vit vetëm për stërvitjen (pa turnetë dhe udhëtimet). Pra, më shumë se në Poloni (200 euro), Izrael (200 euro), Berlin (200 euro), Melburn (300 euro)!? Imagjinoni, për një çast, edhe ndryshimin e nivelit ekonomik të familjeve ndërmjet Tiranës, Vlorës, Kukësit dhe Pukës dhe atëherë do të kuptojmë më mirë se çfarë ndreq qeveria me ligjin e ri për sportin amator në shkolla.

Këto, si dhe të tjera, duhet t’u nënshtrohen diskutimeve dhe zgjidhjeve.

Natyrisht që ka edhe plot probleme të tjera si fushat stërvitore, mësuesit që duhen kualifikuar si trajnerë, gjyqtarët, sekretaria etj. Është detyra e DAR-it dhe shkollës të realizojë të gjitha këto dhe të tjera që ndoshta nuk është vendi për t’i shtruar për diskutim. Fillimisht armatën e mësuesve mund ta ndihmojnë edhe sportistë të shquar, ish-sportistë dhe ish-trajnerë ku për detyrën e trajnerit të konkurrohet dhe jo të zgjidhen me preferenca miqësore etj.

E pra, ky është sporti amator në SHBA ose, më saktë, brenda një shteti ku duhet thënë se në universitete fillojnë “bonuset shkollore”, për përfaqësuesit që hyjnë në skuadër me metodologji rigoroze të përbërjes së saj (çdo vit studimor ka vendet e tij ) etj.

Problemet janë të shumta, por çdo lëvizje e ka një fillim, qoftë edhe të vështirë, por unë besoj se kjo politikë zhvillimi e sportit do të sjellë ndryshime të cilësisë së tij. Vetëm kështu do të fillojmë të krahasohemi me ato shtete europiane me të cilat kemi të njëjtin numër banorësh, madje edhe shumë më të vogël.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"