Buxhet për Superiore, por që nga sot klubi i Kategorisë së Parë nuk ka më asnjë lojtar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2022 | 10:18

Buxhet për Superiore, por që nga sot klubi i Kategorisë së Parë nuk ka më asnjë lojtar

Skadon Lushnja. Prej ditës së sotme, klubi nuk ka asnjë lojtar nën kontratë. Që të gjithë kanë dalë të lirë në treg, pasi 31 maji ishte afati i fundit i marrëveshjeve të nënshkruara 9 muaj më parë. E njëjta gjë vlen edhe për stafin teknik.

lUSHNJA

Automatikisht, qershori i gjen verdhejeshilët pa një “timonier”. E thënë ndryshe, lushnjarët duhet t’ia nisin nga zeroja për sezonin 2022-2023. Do të jetë Eriselda Sefa ajo që do të përcaktojë të ardhmen e gjithsecilit, por nuk dihet se kur do të ndodhë kjo. Gjithçka do të nisë nga stoli, ndaj pritet që kryebashkiakja të ulet me Agim Canajn dhe të flasë për vazhdimësinë. Nuk përjashtohet mundësia që të shkojnë drejt rinovimit, por është herët për të folur.

E para e Bashkisë Lushnjë ka premtuar se edicionin tjetër do të ketë riorganizim total. Me infrastrukturën kanë nisur tashmë transformimin, por dilema të mëdha ka për ekipin. A do të ruhet i njëjti grup, do të ketë “revolucion” të pjesshëm apo të plotë? Kjo gjë nuk dihet. Nëse do t’ia nisin nga e para, atëherë duhet të nxitojnë edhe për merkaton. Për të marrë përforcimet e duhura, koha nuk mjafton. Në të kundërt, do të vazhdojnë të mbajnë ata që kishin dhe do të afrojnë ata që mbeten të lirë në treg.

Për financat nuk do të vuajnë dhe kjo është e sigurt. Buxheti që kanë miratuar është i mjaftueshëm (575 milionë lekë të vjetër) për ta nisur me pretendime kampionatin, ndonëse “lufta” parashikohet e ashpër me ekipe si Dinamo, Skënderbeu e Flamurtari. Verdhejeshilët do të luajnë sezonin e pestë radhazi në Kategorinë e Parë. Është hera e parë që Lushnja qëndron kaq gjatë në nivelin e dytë, që nga viti 1961, koha kur u ngjit në elitë. Edhe për sezonin e ardhshëm, Lushnja do ta nisë nga zeroja. Sakaq, gjatë verës do të nisë rikonstruksioni i “Roza Haxhiut”, më konkretisht sistemi dhe mbjellja e fushës. Kjo e fundit ka 5 vite që përdoret dhe është e degraduar.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"