Buxhet 50 milionë euro, zhgënjehet Maldini/ Merkato “skontosh”, Milani rrezikon që në start

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2022 | 21:56

Buxhet 50 milionë euro, zhgënjehet Maldini/ Merkato “skontosh”, Milani rrezikon që në start

Mediat italiane njoftojnë se është drejt sistemimit situata e Paolo Maldinit, drejtorit teknik të Milanit, i cili në këto ditë do të rinovojë kontratën me klubin. Bëhet fjalë për një marrëveshje të vlefshme për dy sezone. Bashkëpunimi do të vijojë deri më 30 qershor 2024, me opsion për sezonin e tretë (në vitin 2025).

KARDINALE MALDINI

Sidoqoftë, vonesat e këtyre ditëve nuk janë vetëm për shkak të problematikave që po has Xherri Kardinale për të grumbulluar paratë e nevojshme për blerjen e kampionëve të Italisë. Në fakt, thuhet se ka qenë Maldini që ka marrë kohë pasi do të jetë i qartë për projektin e ri. Nëse kryefjala do të jetë “ambicie”, atëherë legjenda do të qëndrojë për të çuar përpara rritjen e Milanit.

BUXHET – Në orët e fundit është përfolur shumë, veçanërisht mes tifozëve, për buxhetin e mundshëm që “RedBird” do të vendosë në dispozicion të drejtuesve të Milanit për merkaton e verës. Sipas “Tuttosport”, nuk ka një shumë të konfirmuar, por përflitet se mund të jetë rreth 45- 50 milionë euro.

Udhëzimet e fundit nga Xherri Kardinale nuk do të ndryshojnë nga ato të “Elliott”-it, ndaj nuk do të ketë rroga faraonike dhe blerjet do të jenë me bazë qëndrueshmërie ekonomike. Në këto rrethana, janë dy emrat më të besueshëm për mbrojtjen e nuk bëhet fjalë për Bremerin apo Botmanin. I pari është francezi 20 vjeç i Montpeliesë, Maksim Estev, ose një rikthim ekspert si Françesko Açerbi. Në mesfushë, plani B mund të parashikojë 21-vjeçarin e River Plejtit, Enco Fernandez.

Orët e fundit ka dalë në skenë emri i Brajan Kristantes, një tjetër ish dhe i dobishëm për listat e Champions-it. Më në fund, për linjën e fantazistëve, përveç xhevahirit tjetër të Bryzhit, Noa Lang, drejtuesit e “Djallit” mund t’u japin përparësi dy profileve të Sasuolos, si Traore dhe Xhuriçiç. Sa u përket këtyre të fundit, afrikani është i preferuar, teksa serbit i skadon kontrata brenda pak ditësh.

Përgatiti: REINOLD BAKALLI  – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"