Butrinti fiton “derbin” e mbijetesës, zhyt Dinamon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2016 | 18:18

Butrinti fiton “derbin” e mbijetesës, zhyt Dinamon

Butrinti fiton “derbin” e mbijetesës me Dinamon duke e parakaluar në renditje. Blutë e nisin me humbje vitin dhe zbresin në zonën e ftohtë të renditjes dhe përpara i pret një “luftë” e fortë për të siguruar mbijetesën.

ButrintiGoditja që morën nga FIFA me -3 pikë mund t’u kushtojë shtrenjtë dinamovitëve. Nga ana tjetër, sarandjotët ngjiten disi, në një kohë që kanë bërë edhe goditjen finale në merkato.

Dje është bashkuar me Butrintin mbrojtësi nigerian Sulaimon Adekunle. Në pjesën e parë të sezonit ai luajti për Bylisin dhe është huazuar te Butrinti. Sfida është vendosur nga goli i sulmuesit vlonjat Lorenc Shehaj që është afruar gjatë merkatos te Butrinti.

Ndeshja

Loja nis e ekuilibruar dhe me pasime të gabuara nga të dyja palët. Për 30 minuta është një lojë e qetë. Repartet sulmuese të të dyja ekipeve janë inaktive dhe nuk krijojnë raste. Megjithatë, në 15 minutat e fundit të pjesës së parë, vendësit bëhen më kërkues dhe shtojnë sulmet.

Në minutën e 40- të, sarandjotët ndërtojnë një sulm nga e majta, topi krosohet në zonë dhe pas një mosmarrëveshjeje mes mbrojtësve dhe portierit vendës, topi përfundon te Shehaj që godet saktë dhe shënon. Pjesa e parë mbyllet me avantazhin e vendësve.

Në fillim të fraksionit të dytë është Rugji që godet fort, por grushton portieri mik. Loja bëhet më interesante nga të dyja ekipet. Pas zëvendësimeve, blutë janë më të rrezikshëm me Turdiun dhe Bakiun në fushë. Në minutën e 77-të, Dinamo ka rastin më të pastërpër të barazuar. Bakiu i shmanget mbrojtjes vendëse dhe triblon edhe portierin, por në pozicion diagonal nuk arrin të shënojë me portën e boshatisur dhe topi përfundon jashtë.

Tri minuta më pas janë sërish miqtë që kanë një tjetër rast, por Hallunaj shpëton Butrintin. Vendësit e menaxhojnë avantazhin deri në fund, duke siguruar një trepikësh të rëndësishëm.

Shehu: Start perfekt, fitore e rëndësishme

Pas ndeshjes së djeshme, trajneri i Butrintit ka deklaruar se skuadra e tij ka marrë atë që ka merituar në fushën e lojës. Sipas Flamur Shehut, kjo fitore e qetëson ekipin, pasi e largon nga fundi i tabelës së klasifikimit. Në përfundim të ndeshjes, ai u shpreh:

“Ishte një takim shumë i rëndësishëm për ne që e kishim vlerësuar maksimalisht. Më gëzon kjo fitore, pasi iu larguam edhe më shumë vendeve të fundit. Ishim gjatë gjithë kohës të përqendruar dhe jam i kënaqur nga paraqitja e lojtarëve.

E rëndësishme është që të vazhdojmë kështu edhe në takimet e radhës, për të mos rrezikuar në asnjë moment që të prekim fundin”, deklaroi tekniku sarandjot pas takimit.

BUTRINTI-DINAMO 1-0
GOLI: Shehaj 40′ BUTRINTI: Hallunaj, Xhuvani, Kuçi, Meçani (Barka 71′), Nela, Gjonbrati, Muço, Qejvani, Rugji (Myrtaj 71′), Shehaj (Dadaj 82′), Adekunle. Trajner: F.Shehu
DINAMO: Memaj, Peqini, Muça, Turtulli, Rexhepi, Murataj, Elmazi, Kolgega (Buzi 71′), Ikonomi (Turdiu 45′), Gërxho, Xhabrahimi (Bakiu 60′). Trajner: I.Allmuça
KARTONË TË VERDHË: Gjonbrati 75′, Hallunaj 88’/ Turtulli 61′
GJYQTARË: O.Ferataj, E.Pashaj, N.Rrapaj, O.Yzeiraj (Patos)
VËZHGUES: Sh.Havari (Vlorë) /
DELEGAT: M.Tegu (Fier)

Përgatiti: Xhorxhi Vasili

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"