Bushiç i pamundur, rikthehen Xhufo dhe Useini. Flamurtari i këtij viti nga mbijetesa tek Europa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2017 | 20:14

Bushiç i pamundur, rikthehen Xhufo dhe Useini. Flamurtari i këtij viti nga mbijetesa tek Europa

Dëmtimet – Pas pushimit njëditor që morën pas fitores 2-0 me Vllazninë, Flamurtari nisi dje përgatitjet për dy ndeshjet e kësaj jave, në Kupë dhe kampionat. Ndeshja e kthimit e Kupës me Turbinën është thjesht formalitet, pasi kualifikimi konsiderohet i arkivuar që në Cërrik. Rëndësi ka ndeshja e kampionatit, ku në Vlorë presin Laçin.

Për këtë takim pritet që të kthehen Useini dhe Xhufo, që munguan ndaj Vllaznisë për shkak të kartonëve të verdhë. Mungesë e madhe do të jetë kapiteni Tomislav Bushiç, i cili ka probleme muskulore dhe gjasat janë që e mbyll këtë vit. Në ditët në vijim, mjekët pritet që të shikojnë reagimin e sulmuesit, por duket se shanset janë minimale për Bushiç.

bushic

Progresi – Flamurtari i këtij edicioni i ka përmirësuar ndjeshëm të gjithë parametrat krahasuar me atë të edicionit të shkuar. Një vit më parë vlonjatët u përfshinë në luftën për mbijetesë, ndërsa tani ata synojnë pjesëmarrjen në Kupat e Europës.

Ndonëse nuk e artikulojnë, edhe çështja titull është më se e mundshme, pasi diferenca me kreun është vetëm 6 pikë. Pas 14 javëve të sezonit të shkuar, vlonjatët ndodheshin në zonën e ftohtë me 13 pikë, ndonëse në fushë kishin arritur 19 pikë, por u penalizuan me -6 pikë nga Disiplina. Aktualisht të besuarit e trajnerit Duro kanë 25 pikë.

shpetim duro

Trajneri – Shpëtim Duro është prekur nga viroza gripale dhe, me sa duket, drejtimi në shi i ekipit, në ndeshjen e së shtunës ndaj Vllaznisë, i ka kushtuar shumë timonierit të pankinës vlonjate. Duro është parë dje në gjendje jo të mirë, ku ka pasur edhe temperaturë. Të shtunën, ndeshja mes Flamurtarit dhe Vllaznisë u luajt në kushte të vështira atmosferike, mes shiut dhe erës së fortë, ndërsa trajneri i kuqezinjve gjatë 90 minutave ka drejtuar i palëkundur në shi. Kjo situatë ka ndikuar negativisht në shëndetin e trajnerit, i cili është i sëmurë. Të dielën Shpëtim Duro ka qenë në Tiranë, teksa ka ndjekur ndeshjen mes Partizanit dhe Teutës në stadiumin “Selman Stërmasi”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"