Bushi: Në ekip nuk kemi një Mesi. Nëse lojtarët e Akademisë vlejnë, do t’i ftoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2017 | 17:21

Bushi: Në ekip nuk kemi një Mesi. Nëse lojtarët e Akademisë vlejnë, do t’i ftoj

Trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi, ka prezantuar dje listën e të ftuarve në Kombëtaren Shpresa për miqësoren ndaj Francës, më 5 qershor dhe takimin e parë kualifikues kundër Estonisë, më 12 qershor. Në përbërje të listës bie në sy ndërthurja e elementeve të kampionatit shqiptar me ata të ekipeve europiane.

Bushi U-21

PRESIONI PËR REZULTATE

“Trajnerët në përgjithësi kanë presione, por mendoj se janë lojtarët më të mirë të mundshëm që kemi përzgjedhur. Ka edhe lojtarë të tjerë akoma më të mirë, por forma e tyre aktuale nuk është e duhura për t’i afruar”.

MOTIVIMI NË NDESHJE MIQËSORE

“Ne kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme ndaj Francës dhe Estonisë, ku kjo e fundit është edhe më e rëndësishme. Gjithsesi, për mua vlen fakti që ndaj Francës t’i përshtatemi lojës së tyre, ashtu siç do të bëjmë edhe ndaj Estonisë. Nuk do të luajmë në mbrojtje, por mendojmë të luajmë me një skemë sulmuese, ku do të kërkojmë t’i fitojmë të dyja.

Të mos harrojmë që edhe kur bën më të mirën mund të humbasësh, por e rëndësishme është që ne të tentojmë. Duhet të japim 200% sepse jemi shqiptarë, ekip i vogël dhe modest. Nëse tolerojmë disi apo luajmë me mendjemadhësi do të bëjmë një figurë shumë të keqe”.

TRAJNER I AKADEMISË

“Nëse do të shoh që një lojtar i Akademisë ia vlen që të luajë me U-21, do ta ftoj. Ata janë më të vegjël dhe unë jam munduar të thërras lojtarë nga Superiorja apo kampionatet kryesore në Europë dhe janë përballur me lojtarë të mëdhenj”.

SKEMA

“Në listë janë shumë sulmues, mbi pesë. Ne do të mundohemi të luajmë në bllok. Nuk kemi Mesin që të na udhëheqë si tek Argjentina”.

LOJTARËT E KAMPIONATIT

“Të gjithë lojtarët që janë thirrur, janë shumë të mirë dhe shumë premtues. Kampionati ka nxjerrë shumë lojtarë për Kombëtaren A. Po punohet shumë mirë te moshat dhe ekipi i Bogdanit është plot me talente. Kemi shpresë shumë të madhe që Shqipëria të shkojë në Europiane të tjerë. Tirana? Lojtarët janë premtues dhe do t’i ndihmojmë. Është e rëndë, por nuk është fundi i botës që Tirana të luajë në Kategorinë e Parë. Objektivi? Të japim maksimumin. Nëse e bëjmë, nuk do të kemi frikë askënd.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"