Bushi: Francën do e sulmojmë, kam 90 lojtarë që mund të luajnë në ekipe të mëdhenj europianë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 5, 2017 | 9:45

Bushi: Francën do e sulmojmë, kam 90 lojtarë që mund të luajnë në ekipe të mëdhenj europianë

Vjen momenti i të vërtetës për kombëtaren e Shpresave që drejtohet nga Alban Bushi. Kuqezinjtë 21-vjeçarë do të përballen me Francën në një test miqësor që do të shërbejë për të kuptuar gjendjen reale të futbollistëve para sfidës së parë eliminatore të Europianit me Estoninë.

bushi doka

Në konferencën për shtyp para kësaj ndeshjeje, Bushi siguroi se do të jetë një Shqipëri agresive, e cila duhet të tregojë se është e aftë të rivalizojë me kundërshtarët më të fortë. Takimi mes kuqezinjve dhe Francës do të luhet sot, në orën 21:05, në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke qenë një test i rëndësishëm për kuqezinjtë.

TRAJNERI

“Franca është një emër i madh dhe motivues për të gjithë lojtarët. Ne duhet të jemi të aftë të përballemi me skuadra më të forta. Ju siguroj që do të jetë një Shqipëri me grintë dhe sulmuese, sepse kështu duhet të luajmë edhe ndaj Estonisë”, është shprehur fillimisht tekniku.

Informacionet për Francën, Bushi i ka marrë së fundmi nga ish-futbollisti i Kombëtares, Edvin Murati, ndërsa Estoninë tregon që e ka studiuar në detaje që pas hedhjes së shortit.

“Trajneri i Francës ka ndeshjen e tij të parë. Edvin Murati më ka dhënë disa informacione për këtë skuadër, ndërsa Estonia para dy muajsh ka barazuar me Skocinë. Është një skuadër shumë e fortë me lojtarë shumë të mirë në përbërje”.

Bushi shprehet i bindur se te Shpresa ka lojtarë shumë cilësorë e që një ditë do të luajnë me klube të rëndësishme në Europë.

“Unë kam një listë prej 80 apo 90 futbollistësh, por jam i detyruar të grumbulloj vetëm 25 prej tyre, pra ata që janë më në formë. Mendoj se ka shumë elementë cilësorë dhe shumë prej tyre besoj do të luajnë në ekipe të mëdha europiane”, përfundoi trajneri i Kombëtares Shpresa.

Ndërkohë, në krah të Bushit gjatë konferencës për shtyp u shfaq zbulimi i këtij sezoni në Kategorinë Superiore, Albi Doka. Te mbrojtësi i Tiranës dallohej qartë gëzimi që do të veshë fanellën kuqezi. Sa i përket të ardhmes, 19-vjeçari e pranoi se ka disa oferta, por vëmendjen e ka të përqendruar te Shpresa dhe Tirana, që ka zbritur në Kategorinë e Parë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"