Bushi: E ëndërroj kualifikimin në Europian! Nëse luftojmë, nuk ka problem edhe të humbim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2017 | 10:34

Bushi: E ëndërroj kualifikimin në Europian! Nëse luftojmë, nuk ka problem edhe të humbim

Në konferencën e djeshme për shtyp përpara ndeshjes që Shpresat do të luajnë sot në “Elbasan Arena” me Islandën, tekniku Alban Bushi u shpreh optimist për një rezultat pozitiv, teksa duket sikur e ka studiuar kundërshtarin në imtësi. Në lidhje me kualifikimin, ai pohoi se po e ëndërron.

bushi

Islanda

“Nuk e shoh as të vështirë, as të lehtë, pasi mendoj se ndeshja e parë nuk ka lidhje me të dytën. Fituam dhe dominuam në Islandë, edhe pse ata janë favoritët e grupit. Por, duke i bërë hyzmetin çdo ndeshjeje, siç ia bëmë Islandës, Estonisë dhe Irlandës, mendoj që mund të përmbysim çdo kundërshtar. Islanda u mund nga ne, më pas fitoi në Sllovaki, e cila bashkë me Spanjën janë kokat e grupit”.

Barazimi

“Ne kërkojmë gjithmonë fitoren, por më shumë do të kërkoja që lojtarët të japin maksimumin. Edhe mund ta humbin si ndeshje dhe nuk ka asnjë problem nëse luftojmë. Kemi shumë mungesa”.

Islanda

“Armën më të fortë kanë shtatlartësinë dhe kërkojnë të luajnë me topa të gjatë, por dinë të luajnë mirë edhe tokazi. Është ekip që rri shumë ngushtë, nuk sulmon. Ata do kërkojnë ta përqendrojnë lojën te numrat 8 dhe 10. Në qoftë se do jemi të kujdesshëm tek këta dy lojtarë, do ta kalojmë me sukses”.

Kualifikimi

“Patjetër që po e mendoj, e ëndërroj, e përjetoj në ëndërr, por duhet të përqendrohemi te ndeshja me Islandën. Kualifikimi është shumë larg, ka edhe 7 ndeshje. Mjafton të luajmë si këto tri ndeshje, ku unë jam shumë i kënaqur pasi kemi bërë shumë raste për gol, ndërsa kundërshtarët dy raste. Po vazhduam kështu, nuk kemi frikë asnjë kundërshtar. Edhe në Islandë ne dominuam”.

Shpresa e U-21

“Ka kualitet, dëshirë për të luajtur dhe janë lojtarë që vijnë nga ekipe shumë të mira. Sjellin shembuj për lojtarët e tjerë që janë në kampionatin shqiptar. Grupi është shumë i mirë, jo vetëm tani, por edhe më parë ka qenë. Lojtarët duhet të japin maksimumin të realizojnë një ëndërr dhe ta bëjnë realitet, si Kombëtarja A”.

VLADIMIR MEMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"