Bursistëve u është mbajtur 15% e parave, KOKSH përfundon te Krimi Ekonomik

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 23:47

Bursistëve u është mbajtur 15% e parave, KOKSH përfundon te Krimi Ekonomik

Asambleja e Përgjithshme e 21-të e KOKSH nxori në pah një skandal të përmasave gjiganteske, me akuza të ndërsjella nga vetë anëtarët dhe drejtuesit e këtij institucioni. Ajo që ndodhi për 5 orë më radhë në hotel “Tirana International” ishte pasqyrimi më i mirë i realitetit që po kalon prej dekadash sporti në Shqipëri.

Duka-2-770x470

Presidenti i KOKSH, Viron Bezhani dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, i nxorën në pah të gjitha të “palarat” njëritjetrit. Mes akuzave të shumta që Viron Bezhani mbajti në fjalimin e tij, ishte njëra mbi tatimin që u mbahej sportistëve që përfitojnë bursa. Bezhani deklaroi se sportistëve u janë mbajtur 15% tatim, ndërkohë që ky tatim nuk rezulton i pasqyruar te Drejtoria e Tatimeve.

Një akuzë shumë e rëndë e kreut të KOKSH adresuar ndaj sekretarit të përgjithshëm Stavri Bello. Së fundmi, “Panorama Sport” ka zbuluar nëpërmjet burimeve zyrtare, të cilat bëjnë me dije se presidenti Viron Bezhani ka bërë një kallëzim penal te Krimi Ekonomik për këtë çështje. Një abuzim i jashtëzakonshëm, që kurrsesi nuk mund të kalojë ashtu siç jemi mësuar të kalojnë gjërat në këtë vend, pasi bëhet fjalë për një vjedhje.

AKUZA TË TJERA QË PRESIN PËRGJIGJE

Ndërkohë, disa prej akuzave të tjera të forta të bëra nga vetë Bezhani për të cilat KOKSH duhet të japë përgjigje janë: -Nuk lejohet të krijohet Komisioni i Financës, i domosdoshëm sipas statutit.

-Sekretari ka dalë 33 herë jashtë shtetit dhe ka munguar 100 ditë në punë, ku asnjë anëtar nuk shqetësohet për këtë fakt të turpshëm.

-Bëhen mbledhje të jashtëligjshme pa miratimin e presidentit, me qëllimin e vetëm për të shpërndarë lekë.

-Jepen shpërblime për administratën në Lojërat Mesdhetare, ndërsa sportistët nuk përfitojnë asnjë qindarkë.

-Nuk përputhen shumat e honorarëve me shumat që dalin nga banka.

– Përdoren kartat e kreditit nga persona të paautorizuar, duke bërë blerje “online” në orën 2 apo 3 të mëngjesit, ku shuma e kalon shifrën e 19 mijë eurove.

-Sekretari i përgjithshëm ka marrë të gjitha kompetencat, vendimmarrjen, firmën, vulën financiare dhe mungon transparenca.

-Kanë miratuar vetëm një rregullore, e cila ka të bëjë me heqjen e limitit të projekteve, në mënyrë që të marrin sa më shumë lekë.

ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"