Burreli apel tifozëve, Nikaj: Me Erzenin, për “jetë a vdekje”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 20, 2021 | 12:02

Burreli apel tifozëve, Nikaj: Me Erzenin, për “jetë a vdekje”

Burreli kërkon kthesën. Pasi dorëzuan kreun përballë Korabit, një tjetër gabim do të ishte fatal për misionin “Superiore”. Të vendosur përpara kësaj situate, sot në “Liri Ballabani” matjanët do të zbresin vetëm për fitore. Përballë do të kenë një Erzen të transformuar prej 2021-shit, ndaj i është dhënë vlerësim maksimal.

Nikaj

Këtë e pohon edhe trajneri Samuel Nikaj, gjatë një bisede për “Panorama Sport”: “Pas gabimit me Korabin, është koha për reagim. Erzeni është një ekip i fortë dhe këtë e tregon edhe pozicioni aktual që ka në tabelë. Por, edhe për ne është një ndeshje ‘jetë a vdekje’, pasi çdo ndeshje e konsiderojmë si finale”. Paralajmërimi i dhënë nga Komisioni i Disiplinës pas ndeshjes me Besëlidhjen e detyron klubin që t’u bëjë apel tifozëve.

Administratori Bajram Ballabani i trembet një dënimi dhe për këtë motiv kërkon që ata të mos jenë në stadium. “Unë e di që çdo tifoz do që ta shohë Burrelin në stadium, por kushtet e pandemisë nuk na e lejojnë. Për të mos rrezikuar, u kërkoj që të mos vijnë. Nuk do të mund të futen brenda. Numri është i përcaktuar qartë dhe nuk do të lejohet asnjë më shumë”, tha Ballabani.

DRITAN KURTI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"