Burg, sherre dhe salsiçe, 49 vitet e Hënesit te Bajerni i Mynihut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 9:09

Burg, sherre dhe salsiçe, 49 vitet e Hënesit te Bajerni i Mynihut

Data 15 nëntor 2019 do të kujtohet si dita kur Uli Hënes doli nga skena te Bajerni. Së paku zyrtarisht. Siç e kishte vendosur në verë, presidenti u largua nga detyra e tij dhe asambleja e ortakëve e organizuar ditën e djeshme emëroi në vendin e tij Herbert Hainerin, 65 vjeç, ish-drejtues tek “Adidas”, sponsor historik dhe aksionar i klubit, me 8,33% të kuotave. Hënes do të thotë 49 vite Bajern. Hyri në vitin 1970, si lojtar. 

henes

Doli në 1978-ën për një huazim të shkurtër te Nurembergu, por u rikthye menjëherë. Problemet fizike e detyruan t’i jepte fund futbollit kur ishte vetëm 27 vjeç. Në atë moshë, 1 majin e 1979-ës, mori postin e drejtorit sportiv në Mynih. Më pas atë të presidentit, 30 vite më pas.

Në rrugën e përshkuar duhen hequr edhe dy vite e gjysmë, mes 2014-ës dhe 2016- ës, kur u largua nga çdo post për të shlyer në burg një ndëshkim për evazion fiskal privat (tri vite e gjysmë, të reduktuar, për një evazion prej 28,5 milionësh). Por numri një praktikisht qëndroi në klub, aq sa Bajerni e afroi te sektori i të rinjve për t’i akorduar lirinë pas gjashtë muajsh burg pa leje daljeje.

TITUJ DHE MREKULLI – Për të thënë se sa protagonist është në historinë e Bajernit, duhet kujtuar që Hënes, 67 vjeç, ka marrë pjesë, si lojtar apo drejtues, në pesë sukseset e Kupës së Kampioneve apo Champions-it. Ka fituar edhe 27 kampionate, duke konsideruar tre në fushë dhe ato të periudhës kur ndodhej në burg, periudhë që e ka konsideruar gabimin më të madh të jetës së tij. Ndërsa për sa i përket mrekullisë, u krye në shkurtin e 1982-shit, i vetmi i mbijetuar i një aksidenti ajror kur ndërruan jetë tre miq të tij. Po shkonte për një ndeshje në Hanover.

NUHATJA PËR BIZNES – Në të vërtetë, Hënës e nisi i vetëm duke qenë se dy ishshokët e skuadrës u rikthyen në klub me detyra drejtuesish në 1991-shin. Në vitet ’80, Bajerni nuk po notonte në ujëra të qeta dhe pikërisht shitja e mikut të tij, Rumenige, tek Interi (për 5,5 milionë euro aktualë) në 1984-ën shpëtoi klubin nga borxhet dhe lëshoi drejt 750 milionë eurove xhiro aktuale.

uli henes

Në 1979-ën shifra ishte shumë më inferiore, më pas në 40 vite kanë shpenzuar 1,1 miliardë për 206 lojtarë, duke arkëtuar 530 milionë. I biri i një kasapi, pronar edhe i një fabrike për salsiçe, është parë të zhvendosë thuajse fshehurazi kartonët e produkteve të tij në supermarket, sepse nuk ishin mjaftueshëm në dukje.

GJITHMONË NË SULM – Megjithatë, Hënes do të kujtohet edhe për polemikat e tij të pafundme: mes shënjestrave të tij rezultojnë Mateus (“Sa të jem unë këtu nuk rikthehet te Bajerni as si kopshtar”), Klinsman (“Nuk duhet të stërvisë skuadrën nga Kalifornia dhe të lërë këtu gjithë këtë m…”) apo Van Gal (“Mendon se është Zoti dhe përpara se gjithçka të krijohej ai ishte këtu”). Plus një sërë drejtuesish, trajnerësh, federatash e gazetarësh.

Uli Henes

E ARDHMJA NË TRIBUNË – Edhe në fund të mandatit, Hënes shkarkoi një trajner: Niko Kovaçin, më 3 nëntor. Dhe pas ndeshjes së tij të fundit si shef (4-0 kundër Borusias) nuk e ka ulur vëmendjen: mëngjesin pasardhës një televizion po e kritikonte drejtorin sportiv Salihamixhiç, Uli telefonoi në lidhje të drejtpërdrejtë, i inatosur. Dhe akuzoi një nga personat prezentë se nuk kuptonte asgjë nga futbolli.

Tani është thuajse e pamundur që do t’i ndërpresë të gjitha raportet, edhe pse e ka liruar totalisht zyrën. Do të qëndrojë me post onorar në këshill, por mbi të gjitha nuk do ta humbasë vendin në tribunë përkrah Rumeniges, i cili do të largohet në 2021-shin (do ta zëvendësojë Oliver Kahn). Dyshja që riktheu Bajernin në maja, do ta ndjekë sërish nga lart.

Përgatiti: LEDIO NASE – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"