Bulqiza fiton “derbin”, Spartaku shpartallon Gostimën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2015 | 19:50

Bulqiza fiton “derbin”, Spartaku shpartallon Gostimën

Kat 3Janë luajtur dje tri ndeshjet e radhës në Kategorinë e Tretë. Derbi i dibranëve, zhvilluar në Kamzë, ndërmjet Drinit të Zdojanit dhe Bulqizës, ka përfunduar me fitoren e bulqizakëve, pas përmbysjes në pjesën e dytë.

Ndeshjet

Në fraksionin e parë, skuadra e Drinit ka qenë e papërmbajtshme dhe në të 13-ën është Serxho Lloji ai që e kalon në epërsi skuadrën e tij. Më pas është Yzeiri ai që godet shtyllën në të 19-ën dhe pas pesë minutash është Hashimi që bën të njëjtën gjë. Ndërkohë që ekipi bulqizak luan pa ide dhe nuk di të organizohet. Në fraksionin e dytë, skuadra e Bulqizës kontrollon më mirë mesfushën dhe organizohet. Fillimisht, ata barazojnë me anë të Ermal Rizvanit në minutën e 60- të, që pasi ka marrë topin ka dribluar gjithë mbrojtjen dhe portierin duke shënuar një gol të bukur. Pas katër minutash është kapiteni Adriatik Halili, një lojtar mjaft teknik që pasi është afruar te vija ballore ka goditur diagonal dhe ka shënuar golin e dytë duke i dhënë fitoren ekipit të tij. Reagimi i Drinit ka qenë i mirë, sepse Arifi ka goditur shtyllën pingule, duke qenë të pafat për të marrë qoftë një pikë. Kështu, me mjaft vështirësi, skuadra e Bulqizës arrin të marrë fitoren e parë në këtë sezon. Në ndeshjen tjetër të luajtur në Elbasan, Spartaku ka shkatërruar Gostimën në një “festival” golash, teksa e ka mposhtur në shifrat 7-3. Ka qenë një sfidë e hapur nga të dyja kampet, e cila ka startuar me gol që në fillim me anë të Klosit për t’u pasuar nga Kaloshi dhe Adili që realizuan për Spartakun në pjesën e parë. Më pas, Haroku dhe Dosti me një dopietë hipotekuan fitoren për skuadrën e tyre. Për Gostimën shënuan Toli dhe një dopietë e Halilit, por që nuk u shërbeu për asgjë. Në sfidën tjetër të luajtur po në qytetin e Elbasanit, Flamurtari B ka mundur Turbinën B në shifrat 2-0, në një ndeshje të rivalizuar deri në fund. I pari që kaloi në avantazh vlonjatët ishte Veraj në minutën e 28-të dhe me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë. Përpos përpjekjeve të ekipit cërrikas, në fund skuadra e Flamurtarit B ka arritur të dyfishojë shifrat me anë të Lazajt në minutën e 85-të, duke marrë edhe tri pikët në këtë përballje. Java e 3-të e Kategorisë së Tretë nisi të martën me takimin Valbona-Sportingu 10-2 dhe do të vazhdojë sot me ndeshjet e tjera. Në këto javë të para, ajo që vihet re është se janë shënuar shumë gola në ndeshje. Mesatarja është shumë e lartë.
DRINI FK-BULQIZA 1-2
GOLAT: Lloji 13’/ Rizvani 60′, Halili 64′
DRINI FK: D.Yzeiri, Reçi, Ibrahimi (Hashimi 10′), Sallaku, Leci, Arifi,
Hyka, Belba (Kola 60′), A.Yzeiri (Nako 46′), Shehu, Lloji. Trajner: S.Koka
BULQIZA: Hysa, Balla, Balliu, Xhixha, Likaj, Gjura, Rizvani, Plloçi (Terziu
90+2′), Halili, Lika (Uka 66′), Aga (Rrushi 26′). Trajner: A.Topi
KARTONË TË VERDHË: Hyka 72′, Sallaku 75’/ Likaj 11′, Rrushi 90+2′
GJYQTARË: L.Ziu, A.Jaçe, E.Beqiri (Tiranë)
DELEGAT: S.Duka (Yrshek)

SPARTAKU-GOSTIMA 7-3
GOLAT: Klosi 4′, Kaloshi 10′, Adili 45′, Haroku 47′, 63′, Dosti 85′, 90’/ Toli
45′, Halili 76′, 86′
SPARTAKU: Murati, Menaj, Marko, Cane, Shima, Klosi, Adili, Haroku, Hodo,
Kaloshi, Kadriu. (U aktivizuan: Mustafaj, Dosti, Qeraca). Trajner: A.Vangjeli
GOSTIMA: Bozhiqi, Sharra, Gjorga, Marashi, Lesko, Berisha, Struja, Dyrmyshi,
Sollaku, Toli, Halili. (U aktivizuan: Ukaj, Filja, Sinani). Trajner: F.Bilali
GJYQTARË: S.Dyrmishi, E.Danaj, K.Bodurri (Elbasan)
DELEGAT: S.Hajro

TURBINA B-FLAMURTARI B 0-2
GOLAT: Veraj 28′, Lazaj 85′
TURBINA B: Miza, Drazhi, Qefa, Shkoza, Lamçja, A.Shabani, Hida, Omeri,
Qosja, E.Shabani, Tafa. (U aktivizuan: Latifi, Kumria). Trajner: I.Cërriku
FLAMURTARI B: Muho, Lazaj, Toska, Begaj, Çelaj, Dauti, Qarri, Sina,
Kostandini, Veraj, Islamaj. (U aktivizuan: Nana, Kasaj, Imeraj).
Trajner: Sh.Idrizaj
GJYQTARË: D.Muça, M.Salla, E.Gjoni (Elbasan)
DELEGAT: O.Osmani

Përgatiti: A.Dushku/ V.Mema

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"