“Buka e komshiut të shijon më shumë”, Ernest Gjoka flet për supersfidën Kukësi-Tirana: Të gjithë e dimë kush është Gjici …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 20, 2020 | 22:55

“Buka e komshiut të shijon më shumë”, Ernest Gjoka flet për supersfidën Kukësi-Tirana: Të gjithë e dimë kush është Gjici …

Kukësi dhe Tirana do të përballen ditën e premte në supersfidën e javës së 23-të të Kategorisë Superiore. Një përballje që pritet të dhurojë spektakël. Në lidhje me këtë takim, ka folur edhe ish-trajneri i skuadrës verilindore, Ernest Gjoka, i cili aktualisht drejton Shkëndijën e Tetovës. Në një lidhje direkte nga Tetova, për emisionin “Pressing” të moderatorit Gerti  Çarçani, trajneri kuqezi, analizoi këtë përballje teksa nuk i kurseu batutat.

Gjoka

“Do të jetë një ndeshje dinjitoze, e cila do të justifikojë gjithçka për futbollin, profesionalizmin dhe qytetarinë. Shikoj një ndeshje të luftuar dhe që mund të fitohet nga dy skuadrat. Tirana ka kohë që po bën mirë. Egba ka sjellë qetësi, po e menaxhon mirë dhe po merr maksimumin nga skuadra. Kukësi ka shumë cilësi, ka pjekurinë e duhur. Unë mendoj se është një ndeshje decizive, sidomos në faktorin stol. Duro mund të ketë pak epërsi falë eksperiencës, e kam fjalën gjatë zhvillimit të ndeshjes.

GJICI? E dimë se kush është Gjici. Ai njeri do sukses, do gjithçka, ndërton skuadrën me gjithçka që duhet. Përfundimisht kërkon vetëm fitore. Kjo është mëse normale që një pronar të kërkojë suksesin e produktit që ka.

TIRANA- Pika më e fortë lidhet me ndryshimin e tempit nga ardhja e Egbosë, urinë, dhënien e maksimumit. Tirana ka ndryshuar fytyrë totalisht. Lojtarët po vrapojnë gjatë gjithë ndeshjes dhe po japin maksimumin.

KUKËSI- Një skuadër e pjekur ndër vite, elitare, di të fitojë ndeshjet e vështira dhe të menaxhojë avantazhin. E shikoj si një sfidë shumë të fortë, cilësia do të bëjë diferencën”.

BATUTA – Do fitojë ajo skuadër që do di të kryejë më mirë detyrat dhe të kapë situatën përpara porte. Tifoz? Pak më shumë po anoj nga kollarja shumë e bukur e Ervin Bulkut, të cilin e përshëndes. Pse nuk e kam drejtuar ende Tiranën? Ne nga Tirana kemi një shprehje: ‘Buka e komshiut të shijon më shumë’“, përfundon Ernest Gjoka.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"