Bujar Kapexhiu, basketbollisti i Dinamos që Faruk Sejdini i theu krahun dhe këmbën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2017 | 22:19

Bujar Kapexhiu, basketbollisti i Dinamos që Faruk Sejdini i theu krahun dhe këmbën

Nga UVIL ZAJMI

Uvil Zajmi

Me Bujar Kapexhiun më lidh një miqësi e vjetër, së pari, ajo familjaro-artistike, pastaj sportive. E admiroja stilin, fantazinë dhe më ishte bërë zakon ta kërkoja e ta gjeja në faqen e fundit te “Ylli”, “Hosteni”, gazetat e kohës…

Vizatimet, karikaturat tërheqëse të tij janë realisht unike. Pastaj Festivali i 11-të, ngjarjet dhe pasojat, të cilat i kemi jetuar nga afër, në veçanti historinë e tij. Ndërkohë vitet kalojnë, por te Bujar Kapexhiu koha duket sikur ka mbetur në vend pa lëvizur. Është po ai, i cili nuk ka ndryshuar aspak. Madje, sa herë e takoj, më transmeton entuziazëm, energji pozitive, gjithmonë në formë, elegant, i gatshëm të ulet, bisedojë e tregojë me shumë kënaqësi vitet e karrierës, ato të punës te “Josif Pashko”, por më shumë atyre, karikaturave sportive…

bujar kapexhiu

Të gjithë e njohin, madje është shumë popullor jo vetëm si regjisor, piktor, producent, aktor me Pepinin e paharruar te “Duel i Heshtur”, një personazh shumëdimensional. Një pjesë të rëndësishme të veprimtarisë e zënë karikaturat, të shtrira në mjaft zhanre, kryesisht të jetës sociale dhe politike. Por, në formimin e tij artistik, një veprimtari tejet impenjative i kushtohet marrëdhënies, miqë- sisë, pasionit të tij me sportin.

Për herë të parë, në një rrëfim për “Panorama Sport” në këtë fundvit, Bujar Kapexhiu flet për ato që nuk i ka treguar asnjëherë: Basketbollist me Dinamon e Grevës e Lleshit, gjimnast i talentuar, pastaj karikaturat e para sportive, ato që e bënë të njohur, por edhe ato që mbetën të pabotuara e të ndaluara kur e “ndëshkuan”. Ndërhyrja e Sejdinit që e dërgoi për “jaki” te Ceni, braktisja e provave për të parë 17 Nëntorin, mik me shahistët, pastaj Fagu, Pronjari disa nga personazhet e munguara. Momenti historik, kur në ring vendosi përballë Todi Jankun me Skënder Sallakun dhe akuzat e Ministrisë së Brendshme si “person i rrezikshëm se është tifoz i Tiranës”.

Si ka lindur pasioni për sportin?

Si nxënës i shkollës së mesme “Petro Nini Luarasi”, aty më ka lindur pasioni për sportin. Kam praktikuar gjimnastikë në vegla dhe basketbollin me trajnerë Astrit Grevën e Njazi Lleshin. Jemi në vitet ’62-’63, luhen ndeshje kampionati, pastaj me shkollat e mesme ka qenë një rivalitet i madh sportiv. Kishte plot talente, ndër të cilët më vijnë ndër mend shokët e skuadrës L. Konomi, P. Troja dhe mësuesi i fizkulturës, Rexhep Reçi. Kur mbarova gjimnazin, vazhdova shkollën për aktor. Nuk kisha më kohë e mundësi të merresha edhe me sport, pasi angazhimet me prova më pengonin. Kështu nisa një tjetër karrierë, ajo artistike.

kapexhiu karikature panajot pano

Ju kujtohen ndeshjet e kohës?

Unë kam luajtur si fundor dhe ndeshjet zhvilloheshin te Parku Sportiv “Studenti” te Rruga e Elbasanit. Kujtoj skuadrën e Teutës në basketboll, na bënte përshtypje, jo vetëm si luanin, por edhe si visheshin… Me kë- pucë plastike të lehta të “NISH Goma”-Durrës, çorape të bardha sipër gjurit dhe numrat që, përveç atyre që mbanin në fanellë, i kishin vendosur edhe te mbathjet si skuadrat e huaja. Ishin xhonglerë të topit, ndër të cilët H. Rama. N.Profkola, trajneri Goga, etj.

Luanit me Dinamon, por ishit tifoz me 17 Nëntorin…

Po, sepse shkolla “Petro Nini Luarasi” ishte nën administrimin sportiv dhe kujdesin e Klubit Dinamo që seleksiononte talentet në çdo disiplinë sportive. Ndërsa te 17 Nëntori isha mik me futbollistët që luanin në atë periudhë. Vitet ’65 janë të lidhura me shpërthimin e kësaj skuadre të madhe. Kisha miqësi me Skënder Hykën, Dhalesin, Frashërin, madje edhe me Fatmirin për faktin e thjeshtë se gruaja e tij, Mira, ishte komshia ime. Por edhe me Ali Memëm, një futbollist dhe njeri i shkëlqyer, me të cilin kam bërë zborin ushtarak 6-mujor pasuniversitar në Shkodër, në repartin e këmbësorisë.

bujar kapexhiu karikature

Intervista e parë, çfarë mbani mend?

Isha në shtëpi, kur vijnë Skënder Hyka dhe Perikli Dhales e më ftojnë të shkoj të luaj futboll me ta. Ndeshja u zhvillua te fusha “Ali Demi” dhe ne kishim veshur fanellat e kombëtares të sapokthyer me të cilat ajo kishte luajtur në Turqi. Unë qëndroja pranë portës e prisja ndonjë top qyl. Topi erdhi, por sapo do ta godisja e pashë veten në ajër. Pastaj në tokë, me një dorë e këmbë të thyer. Faruk Sejdini kishte ndërhyrë në mënyrë të parregullt ndaj meje. Më dërguan te Ceni i famshëm, i futëm në jaki dhe i detyruar qëndroja në shtëpi pa lëvizur, kur një ditë vjen Ahmet Shqarri për një intervistë. Kjo ka qenë e para intervistë sportive.

Thatë se i keni braktisur provat për një ndeshje… E vërtetë?

Ishim me Estradën e Tiranës gjatë një turneu në Durrës. Ishte mesditë, ndërsa duhet të ishim në prova, unë dhe Skënderi shkojmë në stadium, luante Lokomotiva-17 Nëntori. Kur u kthyem ishte bërë zhurmë, na pyetëm ku ishim. U thamë se po shëtisnim rrotull pa u treguar të vërtetën, të cilën na e nxori dhe na e zbuloi në mbrëmje televizori, kur bashkë me episode nga ndeshja, na tregoi mua me Skënderin në stadium, duke bërtitur.

Një karrierë e lidhur edhe me Pallate Sporti?

Jam i pari regjisor që kam organizuar spektakle në Pallate Sporti. Në këto shfaqje kishte një spektator të konsiderueshëm sportiv. Spektakli “4000 duartrokitje”, organizuar në Pallatin e Sportit “Partizani”, kishte në program ndeshje basketbolli të sportistëve me aktorët e humorit e cirkut, një ndeshje kjo e zhvilluar para se kombëtarja të shkonte në Holandë për kampionatin europian.

Në një tjetër rast, në ring organizuam një përballje boksi: Todi Janku me Skënder Sallakun. Sipas skenarit, Sallaku do ta godiste Jankun dhe ky do të rrëzohej. Por, Todi nuk pranoi, pasi “jam kampion dhe nuk kam rënë asnjëherë në tokë”, thoshte. Pas këmbënguljes sime pranoi dhe pas spektaklit deklaroi: “Në 12 vjet, vetëm Bujar Kapexhiu më ka bërë të rrëzohem në tapet”.

karikature

Rikthehemi pak te festivali…

Në festival kam prezantuar me xhaketën e marrë “borxh” nga Skënder Hyka. Pas përfundimit dhe kur në vitin 1973 shpërtheu ajo fushatë e frikshme, mua më dërguan të punoj në “Josif Pashko”. Më ndaluan edhe botimet, gjithçka. Në harkun e tri viteve ndëshkim nuk kam mundur të publikoj asnjë karikaturë, edhe pse në heshtje vazhdoja të arkivoja personazhe, ngjarje. Bëra një karikaturë të Agim Fagut, një të Panos, kërkova t’i botoj, por m’i refuzuan. Ishte si një mënyrë për t’u rehabilituar duke u marrë me personazhe të njohur të sportit.

Disa i kam ruajtur, të tjera i kam grisur. Kam humbur shumë kohë, shumë vizatime, karikatura, fatkeqësisht në vitet e periudhën më produktive të jetës, karrierës artistike. Ndër to edhe një karikaturë e tifozëve të 17 Nëntorit të tribunës “A”, që sa herë skuadra shënonte gol, ktheheshin me fytyrë nga vendi ku qëndronin udhëheqësit, me thirrjet “Tirona! Tirona!”, britma që ishin si një formë proteste me të cilat ata shoqëronin golin dhe shprehnin entuziazmin, por në fakt ajo ishte një protestë, pakënaqësi e tyre ndaj drejtuesve të shtetit.

Flasim pak për karikaturat sportive?

Pasionin për sportin e kalova te pasoni me karikaturat sportive. Më ngacmonte dhe më motivonte ngjarja, personazhet, skuadrat e futbollit, futbollistët, sportistët… Kjo më nxiste që t’i hidhja në letër, t’i vizatoja deri në karikatura tejet interesante. Kam pasur edhe reagime, pasi dalja në karikaturë sa e rëndësishme mund të ishte, po aq delikate dhe e rrezikshme, siç ka qenë rasti me përjashtimin e 17 Nëntorit dhe Partizanit, të cilën nuk munda ta botoja.

Efekti kur e sheh veten në karikaturë është ndryshe nga një foto. Me karikaturën vërtet mund t’i mbetet pak hatri dikujt, por me karikaturën fiton edhe miqësi. Për këtë qëllim, për të zbutur qejfmbetjen, gjithmonë bashkë me diçiturën shkruanim: “Karikaturë miqësore”.

kapexhiu karikature

Jeni frekuentues edhe i shahut?

Karikaturat me shahistët kanë pasur sukses të veçantë, pasi ata janë personazhe të jashtëzakonshëm. Kanë një botë, qëndrime, psikologji që të servir shumë fantazi. Atë të Bujar Hoxhës, profesori, nuk mund ta harroj. Edhe sot e bija e mban në koleksionin e familjes. Po kështu realizova një cikël me karikatura për shahistët që më bëri shumë miq me ta, si me Fatos Muçën, me Pustinën, Durakun etj.

Futbolli kryesisht ka qenë i preferuar?

Po, sigurisht dhe shumë prej figurave, ngjarjeve i kam në këtë fushë. Shumë sukses ka pasur ajo kur u shpall kampion Labinoti. Futbollistë, drejtues e shikonin veten për herë të parë në një karikaturë, që përbënte kuriozitet të madh për ta. Dhe në diçiturë u bazova, apo frymëzova nga një këngë e njohur elbasanase: “Ke kalaja…”, pasi futbollistët i kisha vendosur të gjithë aty.

Por, jo vetëm futboll…

Sigurisht, pak nga të gjitha: çiklizëm, qitje, atletikë etj. Iniciativë e bukur ka qenë ajo e redaksisë së Sportit “10 sportistë më të mirë”, që më provokonte me fantazi dhe ide. Ishte një bashkëpunim sistematik i imi me “Sportin”, por edhe me “Zërin e Popullit”, “Zërin e Rinisë”, “Bashkimi”, revistat “Ylli”, “Hosteni” etj. Kisha marrëdhënie me drejtues gazete si Besnik Dizdari, Bashkim Tufa, të cilët i prisnin me dashamirësi karikaturat e mia. Ruaja rastet, ngjarjet sportive kombëtare dhe ato ndërkombëtare për t’i hedhur në vizatime.

bujarkapexhiu karikature

Keni karikatura që i veçoni?

Po, janë disa, nga qindra që kam, por edhe nuk kam në arkiv, pasi janë të shtrira e publikuara në vite e dekada. P.sh., kam një në peshëngritje me shtangistin Hysen Cenaj, që në njërën dorë mban shtangën, në tjetrën një fëmijë që i dhuron lule. Ajo me Niko Shtrepin në qitje, me Ajet Toskën që e lëshon çekiçin në largësinë rekord dhe ai bëhet me fletë. Sigurisht, edhe ajo me Pavlina Evron apo me Ela Tasen, kur nga forca e goditjes parketi çahet dhe në gropën e hapur një bahçevan po shkon të mbjellë një pemë.

Keni ndonjë rast që ka pasur reagim?

Karikatura që ka pasur reagim ka qenë ajo e Ylli Pangos me Armand Dukën. Si konflikt i momentit tejet i nxehtë, unë i paraqita në një ring boksi. Ylli Pango, i indinjuar, jo se e kisha bërë të tillë në karikaturë, më merr në telefon dhe më kërkon motivin pse e kisha kompozuar në atë mënyrë: ai në një pozicion duke marrë një grusht në nofull, ndërsa ky e godiste në bark kundërshtarin. Një karikaturë e botuar te revista “Klan”.

Jeni dhe regjisor i një filmi me skenar sportiv?

“Dy herë mat” është filmi i realizuar në vitin 1986. Në të vërtetë skenarin e kisha shkruar me “Tri herë Mat”. Por, ishte i gjatë dhe e shkurtova, i hoqa “1 Mat”, duke e lënë me dy. E luaj shahun si amator, dhe mat mund të bie shumë shpejt, jo vetëm një herë, por dy, tre e më shumë nëse kundërshtari ma “fal Mbretin” pa ma marrë. Edhe djalin e kam regjisor, por nuk më ngjau edhe në profesionin e karikaturistit.

Dalja e parë jashtë shtetit?

Pasi kam dështuar të “arratisem” me anijen luftarake, atë të filmit, për herë të parë jashtë shtetit kam dalë në vitin 1988, në Zvicër. Duke qenë me biografi të cunguar, pas goditjes që mora pas Festivalit të 11-të dhe që më ndoqi për shumë kohë, jo vetëm në jetën familjare, por edhe atë artistike, isha në dilemë “do shkoj apo jo” dhe prisja përgjigjen e Ministrisë së Brendshme. Ajo erdhi pozitive, e shoqëruar me fjalë të mira, sjellje gjithashtu, por me një të metë të madhe: “Është tifoz i Tiranës”.

Bujar, si do ta fantazonit Kapexhiun në karikaturë?

Janë disa momente: Si artist të zhytur në bojëra, vizatime, karikatura, pa rrugëdalje. Si aktor në filmat uestern me revole në brez, ndonëse nuk jam aspak i tillë; dhe si sportist, pasi kam bërë një gol duke vrapuar drejt tribunës “A”, me fanellën e hequr dhe arbitri që më ndëshkon me karton të verdhë, jo të kuq, se më njeh e kam mik. Të gjitha natyrisht me mustakë, pa flokë dhe jo pranë kompjuterit, si kjo që po ju dhuroj me shumë kënaqësi për “Panorama Sport”, që them se nuk e kam publikuar dhe kjo mund të jetë hera e parë, apo gaboj?

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"