Bufon: Turp nëse nuk do ta kalojmë grupin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 23, 2014 | 23:55

Bufon: Turp nëse nuk do ta kalojmë grupin

bufon8Për të lënë pas momentet e vështira nevojitet kurajë dhe ai që tregon muskujt në pritje të sfidës decizive kundër Uruguait është kapiteni i Italisë, Xhanluixhi Bufon. Falë eksperiencës së tij, portieri i nënkampionëve të Europës e di mirë se 90 minutat e radhës do të jenë të vështira, por nëse Italia nuk arrin të kualifikohet as duke pasur në favorin e saj dy rezultate nga tre të mundshme, Bufon e thotë troç: “Do të ishte një faliment për ne”.
Bufon, a është e vërtetë që Italia tregon forcën e saj kur duket se po mbytet?
Ky është një mendim i rrezikshëm, pak mazokist do thosha. Gjithashtu mendoj se sa më e madhe të jetë rëndësia e sfidës, aq më të përqendruar shfaqemi, çka e thotë historia e kombëtares sonë.
Sipas indikacioneve të para pritet të ktheheni në një mbrojtje me 3 lojtarë të fortë në qendër, plus dy të tjerë në krahë…
Për këtë nuk mund të përgjigjem unë, sepse me anët taktike ka një trajner që merret, ndaj pyesni atë. Gjithsesi, unë mund t’ju them se në të kaluarën kemi luajtur me module të ndryshme dhe jemi përshtatur me të gjithë ata, ndaj shpresoj që këto ndryshime të japin fryte.
Mos mbase kërkuat ca si shumë justifikime pas humbjes me Kosta Rikën?
Unë nuk i besoj dhe aq më pak nuk kërkoj kurrë të gjej alibi për punën time, për skuadrën time. Në fund të asaj ndeshjeje thashë vetëm se me këto kushte klimaterike, në ato temperatura, është thuajse e rrezikshme që të luash, por duke nënvizuar se vlen si për ne, ashtu sikurse për kundërshtarët tanë. Gjithashtu theksova se kundër Kosta Rikës as që iu afruam lojës fantastike që bëmë kundër Anglisë.
Mendoni se Uruguai është më e fortë se Italia?
Është për t’u pasur frikë. Ne vijmë nga një humbje e rëndë, ata nga një fitore e madhe, nga e cila kanë fituar besim dhe kurajë. Gjithsesi, ky është kompeticioni im i dhjetë me përfaqësuesen dhe vetëm në Kupën e Konfederatave vjet kishim siguruar përpara kohe kualifikimin për në fazën tjetër. Ndonjëherë na duhet të fitojmë me çdo kusht, ndërsa kundër Uruguait do të na mjaftonte edhe barazimi. Tani përgjigjet do na i japë fusha.
Kavani dhe Suarez janë dyshja më e fortë e Botërorit?
Janë një dyshe fantastike dhe s’po e zbuloj unë. Ndonëse më e keqja është se ata jo vetëm funksionojnë shumë mirë bashkë, por në të njëjtën kohë dinë të të godasin edhe individualisht, ndaj duhet kujdes.
Tregohuni i sinqertë, jeni i shqetësuar se mos eliminoheni?
Ne dinim vetëm që ky ishte një grup i hekurt, por gabimi më i madh ishte se askush, duke filluar nga unë dhe shokët e mi, mendonim se Kosta Rika do ta siguronte kualifikimin në 1/8-at që pas ndeshjes së dytë, ndaj shqetësimi ekziston.
Keni ndonjë mesazh optimist për t’i lëshuar skuadrës?
Optimizmi nuk dhurohet me fjalë, por me punën në fushën e lojës. Të martën na pret një ndeshje e madhe, ndaj do të nevojiten të gjithë përbërësit e mundshëm për t’u kualifikuar, ku dy të parët janë zemër e nxehtë dhe kokë e freskët. Nëse vërtet jemi një grup i pjekur, humbjen me Kosta Rikën tashmë duhet ta kemi harruar, nëse jo, rrezikojmë që të tronditemi.
Përveç mbrojtjes, edhe sulmi do rikonstruktohet me dyshen Baloteli-Imobile. Ju si mendoni për këtë zgjedhje?
Nuk kam asnjë ide. Mario dhe Çiro nuk kanë luajtur kurrë bashkë dhe kjo është një risi intriguese vetëm në letër. Pastaj, nëse kjo dyshe do të na ndihmojë apo do na penalizojë, këtë do e tregojë fusha e lojës.
Si kapiten, eliminimi që në grup, do të ishte një faliment, apo jo?
E sigurt është që nuk do të hyjmë në histori si Italia më e mirë, por pa dyshim do ishte një zhgënjim personal, por edhe i gjithë grupit, me pak fjalë, një faliment total. Nëse do të kalonim grupim, siç e urojmë, më pas do të fillonte Botërori i vërtetë për ne, sepse kundërshtarët do të jenë edhe më të fortë dhe këtu do fillojnë problemet e vërteta. Por gjithsesi, të arrije në 1/8-at e Botërorit apo në çerekfinale, do të ishte më mirë sesa të eliminoheshe që në grup, apo jo…
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"