Bufon e zyrtarizon: Në pension pas “Rusi 2018”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 15, 2016 | 12:37

Bufon e zyrtarizon: Në pension pas “Rusi 2018”

“Roma është një skuadër e madhe, me eksperiencë dhe lojtarë të fortë. Personalisht besoj se nuk i mungon asgjë për të tentuar fitoren e kampionatit”. Xhanluixhi Bufon analizon si gjithmonë me sinqeritet të plotë sfidat që e presin Juventusin e tij nga e shtuna e në vazhdim.

Madje, portieri dhe kapiteni bardhezi flet edhe për datën e tërheqjes së tij, si dhe më në fund zbulon edhe arsyen e mustaqeve të tij, të cilat prej një jave janë bërë një çështje në Itali. Nga Roma e deri te tërheqja e tij, të gjitha këto 38-vjeçari i zbulon në një intervistë për rrjetin “Sky Sport”.

Bufon Juve Champions

Bufon, është Roma rivalja juaj e vetme për titullin?

Unë them se ata, së bashku me Napolin janë dy skuadrat që u kanë dhënë jetë dueleve më të bukura të viteve të fundit në kampionat. Të dyja këto klube kanë ndërmarrë një proces fitues. Nuk bëhet fjalë për një surprizë fakti që Roma na ndjek nga pranë, surprizë është fakti që ata kanë ngecur në disa ndeshje që dukej se do t’i fitonin lehtë.

Juve – Roma do të thotë një tjetër sfidë Bufon-Toti, ndonëse kapiteni i verdhekuqve pritet të mos jetë sërish në fushë…

Jam me fat që luaj në një tjetër rol kundrejt Totit. Ai ka aq klas sa mund të vërë në siklet këdo që mund të ketë pozicionin e tij në fushë. Madje, mendoj se në disa aspekte i ka përmirësuar goditjet e tij. Ai është një pikë referimi për skuadrën dhe për të gjithë qytetin e Romës.

Shkurti do të jetë një muaj i nxehtë për ju. Rinis Champions-i dhe shorti ishte me fat që ju vuri përballë Porton, apo jo?

Sigurisht jemi më favorit sesa Porto për të kaluar, por kjo nuk do të thotë se duhet t’i nënvlerësojmë. Ata nxorën jashtë Champions-it Romën dhe nuk po flasim për një skuadër të botës së tretë, por për rivalen tonë për titull në Itali. Për këtë arsye, ata meritojnë respekt maksimal nga ne, ndonëse duhet pranuar se shorti mund të na kishte shkuar shumë më keq, si sezonin e kaluar, kur peshkuam Bajernin.

Mustaqet tuaja janë shndërruar në një gjetje mediatike dhe po diskutohet shumë për të. Mos fshihet ndonjë bast i humbur pas kësaj risie?

Jo, asgjë e tillë. Thjesht nuk po priste me brisku kur po e kaloja në atë zonë të fytyrës dhe mendova se ishte një shenjë e fatit. Natyrisht që, më pas, i modelova disi dhe vendosa t’i lë në këtë formë. Gjithsesi, shumë shpejt do t’i heq, sepse në familje nuk është se u pritën me një interes të madh…

Bufon mustaqja

Vitin mund ta mbyllni edhe me fitoren e trofeut të parë sezonal, Superkupën e Italisë kundër Milanit. Çfarë ndeshje prisni?

Finalja është finale, një takim që të ofron emocione të forta, shumë të ndryshme nga një ndeshje kampionati. Të detyron në një ndjesi vetëbesimi, të karikon të japësh më të mirën që ke. Dhe pa dyshim që kjo finale në këtë fazë të sezonit mund të jetë një ndihmë e madhe për ne në pritje të fazës së dytë të sezonit, ku sidomos në Champions duam të luajmë shumë “finale” të tjera.

Kristiano Ronaldo fitoi “Topin e Artë”, ndërsa ju u renditët i nënti. Si e vlerësoni këtë?

Ju betohem, as që e dija se në cilin vend jam renditur, por mund të them se është diçka e bukur. Pres të prek 39-vjetorin dhe të jem në këtë moshë mes 10 më të mirëve në botë, është një kënaqësi e veçantë. Gjithsesi, edhe kjo është një garë, ku ka nga ata që qeshin dhe nga ata që fitojnë. Me përjashtim të Kristiano Ronaldos, që e meritoi çmimin, ne të tjerët thjesht duhej të kënaqeshim me pjesëmarrjen.

Është e vështirë të mendosh se një portieri si ju do të tërhiqet një ditë. Është e vështirë ta mendosh Juventusin pa ju, por një ditë edhe ju duhet të dorëzoheni. Është Botërori 2018 turneu juaj i fundit?

Le të themi se kjo është ideja. Jam mjaft i bindur brenda vetes sime për këtë. Ekziston vetëm një mundësi që ta zgjas kontratën edhe për një tjetër sezon, por këtë e di vetëm unë dhe presidenti im, Andrea Anjeli, ndonëse edhe kjo është shumë e vështirë që të ndodhë. Gjithsesi, të shohim.

Me ju larg Juves, do t’ua këshillonit Donarumën Anjelit dhe Marotës?

Do t’ia këshilloja patjetër dhe jo vetëm Juves, por të gjitha ekipeve që kanë nevojë për një portier. Xhixho është i jashtëzakonshëm. Një futbollist si ai nuk mund të mos tërheqë projektorët nga vetja.

Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"