Bubeqit s’i del akoma inati: Po vuajmë turpin me Maliqin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2022 | 12:38

Bubeqit s’i del akoma inati: Po vuajmë turpin me Maliqin!

Dorjan Bubeqit nuk i del inati me humbjen me Maliqin, që asokohe e quante të turpshme. Gjatë analizës së zhvilluar dje, i është rikthyer sërish asaj sfide. Trajneri “qan” pikët e lëna në atë transfertë, që sot i kanë rikthyer stresin e mbijetesës.

bubeqi besa

“Ja se si vijnë punët. Kam përvojë më të madhe se secili prej jush në futboll dhe e di se një ndeshje e humbur mund të vijë një moment që të peshojë.

E kuptoni tani se sa na ka kushtuar humbja në Maliq? Do të kishim 39 pikë dhe do të ishim më të qetë, prandaj kur ju thotë trajneri fitoni këtë sfidë se nuk gjen më ekip kaq të lehtë rrugës, më pas do detyrohesh të vuash, sakrifikosh me ekipe më të forta si Erzeni, Bylisi e Besëlidhje, skuadra që duhet të luftojmë fort për të marrë pikët. Ndërkohë, fare lehtë u dorëzuam në Maliq.

Nuk dua më të kritikoj për humbjen në Berat, pasi përpara kemi Butrintin. Po ju kujtoj se ashtu si Maliqi, edhe Butrinti luan me 11 vetë dhe njësoj si ne do pikë. Ai mund të fitojë nëse ne e lejojmë…

Këtë përballje jemi të detyruar ta merrni ju, që gjërat të mos ndërlikohen. Butrinti vërtet lufton për mbijetesë, por nuk është çudi që mund t’i ndërrojmë vendet, nëse nuk fitojmë.

Ndaj kërkoj nga secili prej jush që të hyjmë në fushë sikur përballë kemi Bylisin dhe Erzenin, dy ekipet kryesuese. Vetëm me këtë vlerësim dhe përkushtim maksimal do t’ia dalim. Fundja vetë e sollët Besën në këtë situatë dhe është detyra juaj ta largoni nga telashet. Jeni shumica të rinj dhe duhet të rriteni me psikologjinë e besimit e fitores.

Kur një ekip vazhdon fitoret, atëherë edhe ju rriteni cilësisht dhe ndodh e kundërta kur humbet e humbet. Nuk besoj se ka nevojë më t’ju analizoj arsyet përse duhet të fitojmë patjetër me Butrintin.

Mundësitë i kemi. Na duhet vetëm të shfaqemi ata që jemi nga minuta e parë deri në të 90-ën”. Pas kësaj analize, grupi i është drejtuar fushës stërvitore.

Të paktën, në fytyrat e futbollistëve, pas daljes në fushë vërehej lehtë efekti i përgjegjësive që duhet të merrnin.

Aq sa, ndryshe nga herët e tjera, stërvitja vijoi pa ato shakatë e zakonshme dhe ku secili mundohej të ishte strikt në udhëzimet apo këshillat që i jepte herë Bubeqi e herë Mihani.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"