Bruka zbret në fushë, lojë me… ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 25, 2022 | 19:37

Bruka zbret në fushë, lojë me… ekipin

Besëlidhja e ka marrë seriozisht ndeshjen ndaj Lushnjës. Kështu, stafi teknik po punon fort për ta karikuar skuadrën maksimalisht nga të gjitha pikëpamjet. Vetë trajneri Alban Bruka ka zbritur në fushën stërvitore, duke i motivuar nga afër futbollistët.

alban bruka

Ai është përfshirë në lojë, për t’i pasur edhe më shumë nën kontroll dhe këshilluar për ndonjë gabim. Ky 90- minutësh është vendimtar dhe lezhjanët e dinë që vetëm trepikëshi do t’i bënte punë. Fazën e parë janë mundur 3-0 në “Roza Haxhiu”, ndaj ekipi është angazhuar dyfish.

Redon Danaj mendon se një fitore do t’i nxirrte nga telashet. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai shprehet më i motivuar se kurrë, madje paralajmëron se edhe do të shënojë gol.

“Humbja në Burrel është për t’u harruar. Ajo që ka kaluar nuk mund të zhbëhet, por mund të zëvendësohet. Ne jemi të vendosur për të dhënë më të mirën e mundshme në fushë kundër Lushnjës. Unë nuk mund të jem vendimtar në ndeshjet e ekipit, por do të jap maksimumin për të shënuar. Sa u takon deklaratave të lushnjarëve për të fituar këtu në Lezhë, të gjithë kanë të drejtë të shprehen sipas mendjes së tyre, por unë them se gjithçka do ta tregojë përballja në arenën e stadiumit ‘Besëlidhja’. Ekipi ndonëse ka pasur shumë luhatje, ka treguar se përfundimisht reziston”, përfundoi Danaj.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"