Bruka “shkund” Besëlidhjen pas humbjes me Tërbunin: Një gabim mjafton…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2021 | 12:34

Bruka “shkund” Besëlidhjen pas humbjes me Tërbunin: Një gabim mjafton…

Pas 4 fitoresh radhazi, Besëlidhja u thye. Edhe pse luanin në shtëpi, përballë Tërbunit humbën në shifrat 0-3. Pas së hënës pushim, dje skuadra i është kthyer fushës.

alban bruka

Në prag kanë Tomorin dhe objektivi është i qartë: do të kërkohet kthesa. Me kundërshtarin që është në krizë rezultatesh dhe ka të njëjtin qëllim, vështirësia rritet. Është ky ndoshta motivi që Alban Bruka është munduar që të “shkundë” lojtarët me një analizë. U duk se situata u përmirësua, por mjaftoi një gabim dhe zbritën në zonën e rrezikut.

“Humbja ndaj Tërbunit nuk është fundi i botës pasi situata të tilla i kemi kapërcyer me sukses, duke triumfuar në disa sfida rresht. Në atë ndeshje, ju shfaqët dy panorama: pjesën e parë e dominuat situatën duke pasur gjithçka nën kontroll, por u shpërdoruan shumë raste, çka solli dhe mbylljen e saj pa gola.

Pjesa dytë, në vend që të sillte edhe fitoren, shpërbën gjithçka, çka solli epërsinë e kundërshtarit dhe pësimin e golit të parë dhe më pas 2 të tjerëve me radhë. Për këtë humbje, të gjithë jemi përgjegjës pa përjashtim, ndaj duhet që të nxjerrim mësime që situata të tilla të mos përsëriten.

Ndeshja ndaj Tërbunit le të mbetet një ëndërr e keqe për ne, për të mos u përsëritur. Ne tani duhet të mendojmë seriozisht për 4 ndeshjet e mbetura të fazës së parë, pasi nuk duhet të gabojmë për ta mbyllur vitin pa dhimbje të madhe koke”, mësohet të ketë thënë trajneri.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"