Bruka “fikson” titullarët anti-Korab, mbrojtësi i Besëlidhjes: Do hapim faqe të re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2021 | 16:21

Bruka “fikson” titullarët anti-Korab, mbrojtësi i Besëlidhjes: Do hapim faqe të re

Alban Bruka “fikson” titullarët. Ndonëse ndonjë dilemë të vogël e ka ende, dje vendosi piketat për formacionin dhe strategjinë anti-Korab. Kjo fundjavë i përball me kryesuesit dhe në Lezhë e dinë që do të jetë “malore”.

Turbina Beselidhja

E megjithatë, nuk i druhen askujt. Pas gabimeve që kanë bërë në tri javët e para, rrugë tjetër nuk kanë: duhet të fitojnë. I këtij mendimi është Sidrit Hoxha, i afruar këtë vetë në ekip. Mbrojtësi 20-vjeçar beson se kthesa do të vijë në Peshkopi. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, ai flet edhe për veten, ndërsa shpreson që të ecë në gjurmët e të atit.

Ai është i biri i Hasan Hoxhës, ish-lojtarit të viteve ‘80- ‘90 të Besëlidhjes dhe aktualisht ndihmëstrajner në ekip. “Besëlidhjen e kam në zemër dhe u lumturova kur e vesha këtë fanellë për të parën herë. Jam brezi i dytë pas babait tim që luan për këtë ekip, ndaj shpresoj që të eci në gjurmët e tij. Deficiti në pikë na ka lënë në zonën e ftohtë të tabelës. Pozicion që nuk na shkon për shtat dhe shpresoj ta lëmë sa më shpejt.

Duke e lënë pas dëshpërimin e ndeshjeve të para, tani jemi të përqendruar totalisht tek e ardhmja. Duam që të hapim një faqe të re ndryshe nga sa kemi kaluar. Në radhë kemi transfertën ndaj Korabit, që po e vlerësojmë maksimalisht për vetë të veçantën që përmban ajo transfertë. E gjithë skuadra është e mobilizuar që në Peshkopi të mos gabojmë dhe kam besim se do t’i marrim pikët tona, çka do të na fuste në rrjedhën normale të kampionatit”, përfundoi Hoxha.

PRENG GJIKOLA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"