Bruka: Duhet t’i largohemi fundit një orë e më parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2022 | 11:59

Bruka: Duhet t’i largohemi fundit një orë e më parë

Nuk ia dolën me Bylisin, por sot kanë vetëm një rrugë: fitoren. Nëse duan që t’i largohen fundit, vetëm trepikëshi i shpëton. Në shtëpi nuk mund të falen më gabimet dhe në Lezhë e dinë më së miri.

alban bruka

Skuadra u ka dhënë fund përgatitjeve dhe kundër Turbinës luan me ide të qarta. Alban Bruka beson se skuadra do të gjejë rrugën e kthesës së madhe, por këtë herë me rezultate. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i pankinës së Besëlidhjes tha:

“E mbyllëm fazën e parë në zonën e ftohtë, por ende aty po notojmë. Kërkohet ndryshim kursi një orë e më parë. Të shtunën do të presim në shtëpi Turbinën, për llogari të javës së 17-të të kampionatit.

Një sfidë shtëpie që po e vlerësojmë mjaft. Ndonëse e nisëm me humbje vitin, treguam formë të mirë sportive. Duke parë që ishim përballë ekipit kryesues dhe për më tepër në transfertë, kjo më jep shpresë.

Tani në fokus kemi një tjetër ndeshje dhe synimi është i qartë. Të gjitha ekipet ne i vlerësojmë, pasi jemi në të njëjtën kategori dhe kemi pothuajse të njëjtët objektiva.

Ndaj, duhet të tregohemi të kujdesshëm. Pozitive për ne është pasi shumicën dërmuese të futbollistëve e kam në dispozicion. Ne duhet patjetër të fitojmë ndaj Turbinës për t’iu larguar që tani zonës së kuqe.

Ndonëse ende jemi poshtë në renditje, Besëlidhja do të mbijetojë”.

PRENG GJIKOLA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"