Broja: Ia dalim për titullin, tani nis sprinti final i Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2021 | 19:37

Broja: Ia dalim për titullin, tani nis sprinti final i Partizanit

Barazimi duket se është sinonimi i Partizanit këtë sezon në Superligë, me “demat” që kanë barazuar 11 ndeshje në total dhe kanë po ashtu dy barazime radhazi në Superiore. Gjithsesi, mesfushori i të kuqve, Rron Broja, thotë se skuadra luan vetëm për fitore. 24-vjeçari nga Mitrovica shton se Partizani do ta bëjë diferencën në fazën e fundit të kampionatit, për të arritur në fund te titulli kampion.

broja-1

Rron, Partizani në ndeshjet e fundit ka bërë një lojë shumë të mirë, por nuk po arrin ta gjejë golin…

Është e vërtetë, kemi zhvilluar ndeshje shumë të mira. E kemi mbajtur kundërshtarin lart, kemi luajtur gjithmonë mirë, na ka munguar pak fati në aspektin sulmues dhe nuk kemi arritur të shënojmë. Por, po punojmë dhe në këtë aspekt dhe besoj se në ndeshjet e ardhshme do të jemi përmirësuar dhe do të shihet kjo gjë.

Duket sikur Partizani është mësuar tashmë me barazimet…

Nuk është ashtu, ne nuk jemi mësuar me barazimet. Kemi bërë gjithçka për të fituar, kemi dominuar kundërshtarët në çdo ndeshje, si në terren, si në qarkullim topi. Kemi krijuar dhe shumë raste për gol, por siç e thashë dhe më lart, kemi qenë të pafat në konkretizimi.

Do të përballeni me Bylisin, një ekip që ndodhet në vendet e fundit të tabelës, por Partizani ka vuajtur me ekipet në fundin e tabelës këtë sezon. Si e shihni ndeshjen ndaj ballshiotëve?

Është e vërtetë, na kanë marrë pikë. Bylisi meriton respekt maksimal, është një kundërshtar shumë i vështirë. Normalisht, është një ndeshje delikate, por ne do të futemi në fushë vetëm për tri pikët, pasi kështu mund të ecim drejt titullit kampion.

Objektivi final, titulli kampion. Do të kemi një Partizan më ndryshe në këtë fazë të fundit të sezonit?

Besoj se po, pasi puna e gjithë vitit deri më tani, duhet të shihet në 10 ndeshjet e fundit. Duhet të marrim rezultate maksimale që të arrijmë tek objektivi final.

Cilën skuadër shihni si rivalen më të vështirë për titullin, pasi tashmë janë 5 ekipe në garë, përfshirë dhe Tiranën?

Të gjitha skuadrat që janë lart në tabelë, janë në të njëjtin nivel. Nuk mund t’i ndaj, do të jetë shumë e vështirë gara për titullin kampion. Por me pak fat, besoj se do t’ia dalim ta fitojmë titullin kampion.

Me trajnerin Daja, po luani para mbrojtjes, ku po bëni paraqitje të mira. Ndiheni mirë, apo keni ndonjë vështirësi?

Po, është e vërtetë, kam bërë mirë këtë sezon në atë pozicion. Në fillim e kisha pak më të vështirë, por tani jam ambientuar dhe çdo ndeshje, më ndihmon edhe më shumë që ta kem sa më të lehtë. Besoj se është një pozicion mjaft ideal për mua.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"