Brodhën Shqipërinë për 4 ditë, shfryjnë te Tomori: Është e pandershme! Nuk janë robotë, ekipi u rraskapit nga Peshkopia në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 10, 2022 | 23:20

Brodhën Shqipërinë për 4 ditë, shfryjnë te Tomori: Është e pandershme! Nuk janë robotë, ekipi u rraskapit nga Peshkopia në Korçë

Pas dy transfertave nga njëri cep i Sh qipërisë në tjetrin, stafi teknik e pa të udhës që ta linte pushim të martën. Pas humbjes në Peshkopi përballë Korabit të enjten e 3 marsit, të hënën e 7 marsit luajtën në Korçë dhe përmbysën Maliqin. Morën një fitore shprese për ngjitjen dhe sidomos tani që nga vendi i tretë dhe deri në të gjashtin, janë në lojë për elitën. E megjithatë, gëzimi nuk ka zgjatur shumë.

Tomori

Pasi morën vesh axhendën për javën e 23-të, në Berat janë futur në stres. Të shtunën do t’u duhet që të luajnë me Tërbunin në shtëpi, që përkthehet vetëm me 3 ditë stërvitje. Ky vendim i sektorit të garave ka befasuar gjithkënd në radhët e Tomorit, ndaj edhe e quajnë absurde.

Minimalishtt prisnin që të luanin 24 orë më vonë, për të rikuperuar energjitë që shpenzuan. Drejtuesit deklarojnë se FSHF duhej të kishte marrë parasysh rraskapitjen nga dy udhëtime të gjata brenda katër ditëve dhe fare mirë përballja me Tërbunin mund dhe duhej të ishte shtyrë për të dielën, ashtu si është vepruar me dy ndeshje të tjera të Kategorisë së Parë. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, administratori Ismet Ajazi thekson se lojtarët nuk janë robotë dhe është e pamundur që ta përballojnë një tjetër 90- minutësh kaq shpejt.

“Nuk duam të hapim dhe as të përfshihemi në një polemikë me institucionin e futbollit. Por, duket sa absurde aq edhe pse jo e pandershme, që Tomori të luajë ditën e shtunë me Tërbunin, në një kohë që kemi shpenzuar shumë energji për dy transferta. Ishim në Peshkopi ku sfiduam Korabin dhe më pas Maliqin në Korçë.

Është një udhëtim dyditor brenda katër ditëve për këto 180 minuta. Të martën ua lamë pushimi lojtarëve që të rikuperonin energjitë, por papritur mësojmë se duhet të zbresim në fushë më 12 mars për të zhvilluar një përballje përcaktuese për vendin e katërt. Kjo është e padrejtë, sepse logjika e thjeshtë do të rezervonte minimumi një ndeshje të tillë vetëm ditën e diel, megjithatë kjo mbetet në ndërgjegjen e zyrtarëve të institucionit të futbollit.

Edhe robotë po të ishin futbollistët tanë, absolutisht nuk duhet të luanin ditën e shtunë. Ashtu si Besa me Butrintin, edhe Tomori duhej të luante të paktën ditën e diel. Ne kemi më shumë arsye sesa kavajasit dhe sarandjotët”, përfundoi Ajazi.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"