Britma, festë dhe zhgënjim. Çfarë nuk u pa në TV nga ndeshja Teuta-Kukësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 18, 2021 | 21:42

Britma, festë dhe zhgënjim. Çfarë nuk u pa në TV nga ndeshja Teuta-Kukësi

Teuta dhe Kukësi, për të fundit në Kupë ishin përballur më 15 korrik 2020, ku blutë arritën të përmbysnin rezulatin dhe të kalonin në finale. Dje durrsakët fituan 1-0 dhe “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes së luajtur në “Niko Dovana”.

teuta

* Gjatë një goditjeje dënimi në pjesën e parë, trajneri i Teutës, Edi Martini, i bërtet mesfushorit Albano Aleksit. “O Aleks, o Aleks”, por fieraku nuk e dëgjon për shkak të largësisë. Në këtë moment shkodrani kthehet nga stoli i dëshpëruar… Më pas, afër fundit të lojës, e njëjta skenë përsëritet, por këtë herë lojtari ishte nervoz. “Aleks, Aleks! Qetësohu more djalë”.

* Nga ana tjetër, trajneri i Kukësit, Mirel Josa, është shumë më i qetë se homologu i tij në stolin blu.

* Britmat e drejtorit sportiv të Teutës, Sulejman Starova, dëgjoheshin shumë gjatë ndeshjes dhe “Bobi” ra pre e disa ngacmimeve nga tribuna.

* “Jepi mo karton atij Ezesë….! Çfarë doktori më thua ti mua…”, dëgjohet Aleksi duke i thënë gjyqtarit Kreshnik Cjapi.

* Disa minuta më pas, Martini e ka me Asion Dajën: “O Oni, po pasoje më shpejt topin, me një prekje…”

* Kur Emiljano Vila kalon “djemtë e detit” në avantazh në minutën e 10-të, i gjithë stoli i Teutës shpërthen në festë, ndërsa autori i golit shkon dhe përqafon Florent Avdylin, i cili si duket e kishte parandier që mesfushori do të shënonte.

* Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, u largua nga stadiumi në minutën e 91-të, duke mos pritur kohën e mbetur të shtesës. Ai ishte tepër i zhgënjyer me lojën e ekipit.

* Pas vërshëllimës finale, festa ishte e gjitha e durrsakëve, që festojnë kalimin për në gjysmëfinale duke u grumbulluar në mes të fushës, e më pas përshëndetur ata pak të pranishëm në tribunë.

* Stivi Frashëri dhe Rustem Hoxha u përballën më të shkuarën, ndërkohë nga ana tjetër ishin Mirel Josa, Iris Selimi dhe Blerim Kotobelli.

Z.QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"