Britma e Lilajt: Jemi më të fortët, treguam se cili është ekipi më i mirë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 4, 2017 | 21:37

Britma e Lilajt: Jemi më të fortët, treguam se cili është ekipi më i mirë

Fitorja me Kukësin ishte një hap i madh i Skënderbeut drejt rrugës që të çon te titulli kampion dhe këtë e dinë fort mirë të gjithë. Për mesfushorin korçar që është duke kaluar një moment mjaft të mirë në ekip, kjo fitore ka vlerë të dyfishtë.

Për Sabjen Lilajn e rëndësishme është që ekipi të ecë me krenari, por edhe të vlerësojë në maksimum ndeshje pas ndeshjeje, pasi vetëm kjo e bën të jetë në rrugën e duhur për titullin. Në intervistën e dhënë pas ndeshjes, Lilaj vlerëson forcën e grupit dhe mbi të gjitha mban lart frymën e bashkëpunimit te kampionët për të ecur në të tilla ritme derisa matematika t’i shpallë kampionë. “Por, arritëm të fitojmë këtë takim dhe treguam se kush është ekipi më i fortë i kampionatit. Kjo na bën shumë të lumtur”, thotë ndër të tjera Lilaj duke iu referuar Kukësit si pretendent kryesor për titullin.

lilaj

Sabjen, 2-1 ndaj Kukësit dhe 8 pikë nga vendi i dytë. Është fundi i kampionatit?

Pa dyshim që fitorja dhe thellimi i diferencës në renditje na kënaq dhe është ajo që duhet në këto momente. Vinim nga tri barazime radhazi në kampionat dhe fitorja ishte objektivi jonë i vetëm në këtë takim qoftë për ecurinë, qoftë se luanim në fushën tonë. E përgatitëm mirë ndeshjen dhe kishim dëshirën për të marrë maksimumin. Tani që ia dolëm, jemi të gjithë të kënaqur.

Ishte e vështirë përballë Kukësit?

Sigurisht që ishte e vështirë, pasi luanim kundër një ekipi që kishte ardhur këtu me objektiva të qarta dhe kërkonte të afrohej në renditje. Por, them se bëmë mirë në pjesën më të madhe të takimit dhe pavarë- sisht mungesave, shfrytëzuam mirë rastet e duhura dhe arritëm të marrim tri pikët. Mbetet një fitore që ka një vlerë të dyfishtë qoftë personalisht, qoftë si grup.

Kur thoni vlerë të dyfishtë, i referoheni sezonit të kaluar?

Sigurisht, pasi në mendjen tonë sado që përpiqemi të mos mendojmë për atë takim ende kthehen ato kujtime. Por, arritëm të fitojmë këtë takim dhe treguam se kush është ekipi më i fortë i kampionatit. Kjo na bën shumë të lumtur.

Lilaj

Kukësin e keni mundur dy herë në dy faza. Një avantazh më shumë?

Sigurisht që po, keni të drejtë, është një avantazh më shumë. Kjo për vetë faktin se nëse një ekip fiton në vazhdimësi, është një plus i madh. Nëse mund në ndeshje direkte rivalët për titull, është një bonus i shtuar. Ne kemi dy fitore me ta dhe kjo është pozitive.

Tetë pikë më shumë janë diferencë komode. Skënderbeu është arratisur?

Jo, nuk mund të flasim për titullin që në këtë moment. Dihet që diferenca është e mirë për ne, pasi na bën që të jemi më të qetë. Por, është ende herët për të parë arratinë. Duhet të luajmë ndeshjet një e nga një dhe më pas të bëjmë llogaritë në fund të fazës së dytë.

Pavarësisht ngarkesës së madhe vijoni të jeni në formë…

Tashmë ngarkesa nuk është se ndihet shumë. Sigurisht nuk është e lehtë të luash ndeshje çdo tri ditë, pasi do një përgatitje shumë më të madhe. Por, ne kemi punuar shumë që në qershor dhe jemi mësuar tashmë me këtë ritëm. Tani, Europës po i vjen fundi dhe duket se do të kemi më shumë ditë për të përgatitur ndeshjet e radhës në kampionat, pasi ky është objektivi jonë kryesor.

Tani mendja te Jang Bojs. Çfarë duhet të presim nga ky takim?

Sigurisht ne shohim gjithmonë ndeshjen e radhës. Do të jetë një ndeshje e fortë siç janë të gjitha në Europë dhe kjo nuk bën përjashtim. Pavar- ësisht se të dyja ekipet nuk kanë më objektiva në grup ne do të luajmë që të marrim më të mirën në këtë ndeshje. Nuk do të jetë thjesht për statistika.

Fillimisht ju, ndërsa tani po shënon Taku. Golat vijnë nga mesfusha…

Nuk është e rëndësishme se kush shënon. E rëndësishme është që të fitojë ekipi dhe më pas shohim të tjerat me radhë. Ne e kemi thënë që në fillim se nuk bazohemi tek individët e caktuar në ekip. Për ne, çelësi i suksesit është grupi dhe për këtë jemi duke punuar të gjithë. Derisa grupi do të funksionojë në ndihmë të lojës, atëherë gjithçka është në rregull.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"