Një brez i artë, është koha e Gjermanisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2014 | 9:49

Një brez i artë, është koha e Gjermanisë

germanyTitulli në palmaresin e “pancerave” mungon prej 24 vitesh. Por pas triumfit në “Itali 1990”, Gjermania vjen në “Brazil 2014” me stofin e skuadrës superfavorite, bashkë me kampionët në fuqi të Spanjës. Trajneri Joakim Lëv mori një goditje të rëndë përpara fluturimit drejt Brazilit mbrëmjen e djeshme, pasi humbi atë që pritej të ishte ylli i tyre gjatë turneut, Marko Rojs. Mirëpo, zor se më parë kjo skuadër pa pasur luksin të zëvendësojë një lojtar të klasit botëror, me dy yje të tjerë si Lukas Podolski dhe Andre Shyrrle. Lahm dhe Shvajnshtaiger tashmë kanë mbi supe më shumë eksperiencë se 4 vite më parë dhe për më tepër kanë fituar edhe Champions-in një vit më parë. Një triumf në Kupën e Botës do t’i jepte fund debatit, nëse ky brez kaq i talentuar meriton mbiemrin i artë apo jo.
Jubilare – Djemtë e Lëvit do të luajnë ndeshjen e tyre të 100- të në Botëror më 16 qershor në Salvador kundër Portugalisë. Bilanci i Gjermanisë në 17 edicionet që kanë marrë pjesë, është 3 tituj kampion (1954, 1974 e 1990), 4 finale të humbura (1966, 1982, 1986 dhe 2002), 4 vende të treta (1934, 1970, 2006 dhe 2010) dhe një vend i katërt (1958). Në Grupin G të “Brazil 2014” do të sfidojnë njëri-tjetrin dy vëllezër me kombëtare të ndryshme. Dueli Gjermani-Ganë më 21 qershor në Fortaleca, do të bëjë armiq për 90 minuta vëllezërit Kevin- Princ dhe Zherom Boateng.
Prezencat – Lotar Mateus është lojtari që mban rekordin e prezencave në Kupën e Botës me 25 ndeshje (1982- 1998). Ish-mbrojtësi debutoi 20 qershorin e 1982-shit kundër Kilit, duke hyrë në fushë në vend të Pol Brajtnerit, ndërsa e mbylli karrierën e tij në Botëror 4 korrikun e 1998-ës kundër Kroacisë. Mateus dhe meksikani Karbahal janë të vetmit lojtarë që kanë marrë pjesë në 5 edicione të Kupës së Botës. Penalltitë – Gjermania i ka fituar të katërta ndeshjet e përfunduara me penallti: kundër Francës (1982), Meksikës (1986), Anglisë (1990) dhe Argjentinës (2006), duke gabuar vetëm 1 herë nga pika e bardhë nga 18 goditje në total (Stielike në 1982-in). Kombëtarja tjetër që e ka përcaktuar fatin e saj nga 11-metërshat po 4 herë, është Argjentina, e cila është mundur nga Gjermania për herë të parë vetëm në çerekfinalet e 2006- ës.
Lojtarë & trajnerë – Helmut Shën është trajneri me më shumë ndeshje në një Kupë Bote. Ai e ka drejtuar kombëtaren gjermane në 25 ndeshje në 4 edicione të Kupës së Botës mes 1966-1978, duke fituar titullin (1974), arritur në finale (1966) dhe fituar një medalje bronzi (1970). Ndërsa Uve Zeler, së bashku me Pelenë, është lojtari i vetëm që ka shënuar në 4 edicione të ndryshme të Kupës së Botës. Ai shënoi 9 gola mes 1958 dhe 1970. Me 5 suksese në kualifikueset e “Brazil 2014”, Gjermania vazhdon të mbetet një skuadër e pamposhtur në transfertat e eliminatoreve të një Botërori. “Nationalmannschaft” ka arritur 31 fitore dhe 10 barazime në 41 ndeshjet që ka luajtur jashtë shtëpisë së saj prej 1934-ës.

Klose gjuan dy rekorde në Brazil
Veç vendosjes së rekordit të golashënuesit më të mirë në historinë e kombëtares gjermane (69 gola) të premten në miqësoren me Armeninë, Miroslav Klose do të shkojë në Brazil me dy objektiva të fundit përpara se të varë këpucët në gozhdë. Sulmuesi 35-vjeçar është golashënuesi i dytë më i mirë i Botërorit me 14 gola së bashku me Gerd Mylerin, por i mjafton një gol që të barazojë atë të Ronaldos, fenomenit brazilian (15 gola). Mirëpo, nëse Gjermania do të shkojë deri në gjysmëfinale, atëherë bomberi me origjinë polake do të barazonte edhe rekordin e Lotar Mateusit, i cili është lojtari që mban rekordin e prezencave në Kupën e Botës me 25 ndeshje. Sulmuesi i Lacios është ndalur në kuotën e 19 ndeshjeve në finalet e një Kupe Bote dhe i duhen edhe 7 për ta thyer atë. Do ia dilte vetëm nëse 3 herë kampionët e botës do të shkonin deri në finalen e Marakanas.

STATISTIKAT E PËRFAQËSUESES
Me 3 Kupa Bote, 7 finale dhe 12 herë mes 4 skuadrave të para (një rekord), Gjermania është skuadra europiane me vazhdimësinë dhe rezultatet më të mira për numrin e ndeshjeve në këtë turne. Në edicionin e parë të tyre, 1934, arritën deri në vend të 3-të, ndërsa 4 vite më vonë eliminoheshin që në turin e parë në një dopiopërballje me Zvicrën. Kjo ndodhte për herë të parë dhe të fundit në gjithë historinë e Kupës së Botës. Pas përjashtimit në “Brazil 1950”, rikthehen të suksesshëm në turneun e radhës në Zvicër, duke përmbysur në finale 3-2 superfavoriten Hungari, e cila në turin e parë i mundte 8-3. Pas vendit të 4-ët në 1958-ën dhe çerekfinales në 1962-n, në 1966 Gjermania Perëndimore arrin finalen, por iu dorëzua të zotëve të shtëpisë në shtesë (Anglia fitoi 4-2 në “Uembli”). Një tjetër humbje historike në shtesë e gjermanëve është ajo e “Meksikë 1970”, në gjysmëfinalen me Italinë me 4-3-shin që bëri historinë. Katër vite më vonë do të triumfonin në shtëpi, pasi mundën 2-1 Holandën e Krujfit në finalen e Mynihut. Eliminim që në raundin e dytë në 1978, pas humbjes me Austrinë 3-2. Edicionin e ardhshëm ua mohoi titullin në finale Italia e Bearzotit (3-1). Finalen e arritën 4 vite më vonë, por iu dorëzuan Argjentinës 3-2. Por në “Itali 1990” erdhi ylli i tretë në fanellë dhe ku kishte më bukur sesa me një hakmarrje ndaj Argjentinës së Maradonës me një penallti të Brehmes shënuar në minutën e 84-ët.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

ARRITJET E GJERMANISË
PJESËMARRJET NË BOTËRORË
17 (1934, 1938, 1954-2010)
POZICIONIMET MË TË MIRA
Kampione Bote (1954, 1974, 1990)
Finaliste (1966, 1982, 1986, 2002),
Vendi i tretë (1934, 1970, 2006, 2010)
BILANCI
98 ndeshje, 60 fitore, 19 barazime, 19 humbje
206 gola të shënuar, 118 gola të pësuar
SHËNUESIT MË TË MIRË NË KUPËN E BOTËS
Klose dhe Gerd Myler (14 gola), Klinsman (11 gola), Rahn
(10 gola), Rumenige (9 gola).
LOJTARI ME MË SHUMË PREZENCA NË KUPËN E BOTËS
Lotar Mateus 25 ndeshje
TRAJNERI ME MË SHUMË PREZENCA NË KUPËN E BOTËS
Helmut Shën 25 ndeshje
SI ËSHTË KUALIFIKUAR SIVJET
U renditën në vend të parë në grup

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"