Bregu “shfryn” ndaj Flamurtarit: Duartrokitjet e tifozëve për drejtuesit që nuk besuan tek unë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 3, 2018 | 17:21

Bregu “shfryn” ndaj Flamurtarit: Duartrokitjet e tifozëve për drejtuesit që nuk besuan tek unë

U duartrokit gjatë në fund të ndeshjes Flamurtari-Luftë- tari dhe i përshëndeti vlonjatët me dorën në zemër. “Ylli” i Luftëtarit, Dejvi Bregu, u ndie mjaft i emocionuar pas ndeshjes së djeshme. Në një intervistë enkas për “Panorama Sport”, talenti vlonjat dha edhe një mesazh për drejtuesit e Flamurtarit.

Dejvi Bregu

Sipas Bregut, këto duartrokitje, si dhe paraqitja e tij, u dhanë përgjigje drejtuesve vlonjatë, të cilët gabuan me të. Sa u përket objektivave të Luftëtarit, Bregu thotë se janë të arritshme. Por për të shkuar në Kupat e Europës, vlonjati pohon se çdo ndeshje duhet të vlerësohet maksimalisht.

Bregu, si e vlerësoni fitoren e Luftëtarit në Vlorë?

Ishte një fitore shumë e rëndësishme për ne. Një trepikësh me mjaft vlerë, pasi e luajtëm përballë një kundërshtari shumë të fortë si Flamurtari.

Po për Flamurtarin çfarë opinioni keni?

E thashë edhe në fillim që Flamurtari është një kundërshtar shumë i fortë, pasi ka një fanellë me peshë të madhe. Kjo gjë ua vështirëson shumë punën kundërshtarëve.

E mendonit para ndeshjes se mund të fitonit përballë Flamurtarit?

Besoj se ne e merituam plotësisht fitoren. Luftëtari e dominoi lojën në çdo aspekt. Bëmë mirë dhe në fund dolëm me sukses, duke marrë atë që dëshironim e duke na u shpërblyer ajo që dhamë në fushën e lojës.

Cilat janë objektivat e Luftëtarit këtë sezon?

Ne mendojmë ndeshjen e radhës dhe llogaritë në futboll bëhen në fund, për shkak se kampionati ynë është i tillë. Superiorja ka specifikë të veçantë dhe skuadra një nivel të lartë, thuajse të barabartë.

A mund të arrihen Kupat e Europës nga Luftëtari?

Duke treguar të njëjtën dëshirë për të fituar dhe për të ecur përpara me lojëra të mira, çdo gjë është e mundur.

Çfarë ndjenje patët kur në fund u duartrokitët nga tifozët vlonjatë?

Ndiej që Vlora e ka kuptuar sesi vepruan me mua dhe besoj më ka dhënë të drejtë. Duartrokitjet e tifozëve në fund të ndeshjes më rrëqethën mishin. I falënderoj nga zemra tifozët vlonjatë. Nuk i harroj kurrë.

Doni të thoni se drejtuesit e Flamurtarit gabuan me ju?

Gabuan apo jo me mua, besoj se në ndeshjen ndaj Luftëtarit morën përgjigjen nga duartrokitjet e tifozëve vlonjatë dhe nga paraqitja ime.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"