Bregu mban në ankth Teutën, durrsakët bëjnë përpjekjen e fundit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 9:16

Bregu mban në ankth Teutën, durrsakët bëjnë përpjekjen e fundit

Teuta nuk heq dorë nga Dejvi Bregu. Vlonjati është ende pa skuadër dhe pavarësisht dëshirës së tij për të luajtur jashtë Shqipërisë, pista për t’u afruar te durrsakët mbetet e hapur. Burime të sigurta i thanë dje “Panorama Sport” se pritet që të bëhet edhe një takim i fundit me lojtarin. Kërkesat e tij mësohet se janë të larta sa i përket anës financiare, por çdo gjë do të varet edhe nga fakti nëse mesfushori nuk gjen një ekip jashtë vendit.
Skenderbeu-Partizani Bregu Taipi
Më parë ka qenë afër një ekipi polak, por çdo gjë u prish për shkak të një problemi të papritur mes përfaqësuesve të lojtarit dhe drejtuesve të skuadrës që donte Bregun. Ndërkohë, klubi durrsak është i destinuar për të afruar të paktën dy lojtarë me peshë, në mënyrë që të kompletojë skuadrën për sezonin e ri. Pas fitimit të dy trofeve në sezonin e fundit, në Durrës duket se ka ardhur momenti që të tentohet titulli. Fitimi i Kupës dhe Superkupës së Shqipërisë, që u shoqërua më pas me kalimin e një turi në Ligën e Europës, duket se kanë shtuar ambiciet e drejtuesve. Deri më tani janë afruar Aldrit Oshafi, Blerim Krasniqi, Iran Gonçalves, Asion Daja, Vasil Petani, Erando Karabeci, Denis Pjeshka, Brendon Smajli dhe Ledjon Xhymerti. Dy të fundit mund të përdoren edhe nga ekipi U-21.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"