Brdariç “skicon” formacionin: Të mposhtim Skënderbeun, në çdo vend synojmë fitoren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 8, 2020 | 11:54

Brdariç “skicon” formacionin: Të mposhtim Skënderbeun, në çdo vend synojmë fitoren

Trajneri i Vllaznisë, Tomas Brdariç është i bindur se skuadra e tij do të kërkoj fitoren edhe në takimin e radhës ndaj Skënderbeut. Sipas gjermanit që drejton kuqeblutë, në çdo takim Vllaznia do të luajë për fitore, pa marrë parasysh kundërshtarin. Këtë Brdariç e theksoi edhe pas ndeshjes me Apoloninë, ku Vllaznia arriti fitoren e parë për këtë kampionat. “Ne për çdo ndeshje do të fillojmë një kapitull të ri. Po përgatitemi në varësi të kundërshtarit të radhës dhe besoj se do t’ia arrijmë qëllimit për atë që kërkojmë. Do të shkojmë për të fituar kudo që do të luajmë.

Brdaric

Këtë kërkojmë edhe për takimin ndaj Skënderbeut. Ky është objektivi ynë, pavarësisht se kush do të jetë kundërshtari i radhës”, është shprehur fillimisht trajneri Brdariç. Ndërkohë, i pyetur për objektivin që ka klubi këtë sezon, trajneri u tregua i matur. “Objektivi kryesor është të ndërtojmë një skuadër ku lojtarët të japin maksimumin. Duhet të kemi një ekip kompetitiv, që të luajë futboll cilësor”, deklaroi gjermani, ndërkohë që vetë drejtuesit e klubit e kanë shprehur hapur se duan Europën dhe pse jo trofe nga ky sezon, ku Vllaznia ka bërë ndryshime të mëdha. Starti pozitiv me triumfin ndaj fierakëve e ka rritur edhe më tepër moralin e skuadrës për të pasur vazhdimësi edhe në transfertën e së dielës në Korçë.

FORMACIONI – Vllaznia zhvilloi ditën e djeshme seancën e fundit stërvitore përpara se skuadra të udhëtonte drejt Korçës. Në stërvitjen e së premtes është vënë re se Brdariç do të ketë një ekip të plotë për këtë takim, ashtu siç kishte edhe në përballjen ndaj Apolonisë. Trajneri pritet t’i besojë sërish atyre lojtarëve që kanë startuar edhe dy përballjet e para të sezonit, fillimisht në Kupë me Devollin, e më pas për javën e parë të kampionatit.

formacionmi

Në portë do të jetë malazezi Zogoviç, ndërsa në mbrojtje katërshja e përbërë nga Gurishta në të djathtë, Adili dhe Imami në qendër, si dhe maqedonasi Isaevski në të majtë. Me skemën 4-3-3, në mesin e fushës do të luajnë sërish Krymi, Marku e Kruja. Ndërsa në dy krahët e repartit ofensiv pritet që të konfirmohen braziliani Da Silva dhe shqiptari nga Maqedonia, Imeri. Në majë të sulmit do të jetë sërish boshnjaku Dilaver, i cili e nisi me gol aventurën te Vllaznia. Brdariç ka krijuar një fizionomi loje pikërisht me këtë formacion, duke e provuar shpesh edhe ne miqësoret e muajve gusht, shtator dhe tetor.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"