Brdariç: Nuk luftojmë dot me arbitrat, Vllaznia s’ndalet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 13, 2021 | 10:03

Brdariç: Nuk luftojmë dot me arbitrat, Vllaznia s’ndalet

Tomas Brdariç në kundërsulm. Trajneri gjerman i Vllaznisë ka dalë dje para mediave duke iu përgjigjur “flakë për flakë” situatës që po kalon klubi. Sipas tij, asgjë nuk e ndalon Vllazninë në rrugën drejt suksesit.

Dilaver Brdaric

Tomas, vini nga një humbje në shtëpi. Çfarë prisni ndaj Apolonisë?

Realisht është një ndeshje e vështirë ajo ndaj Apolonisë, por kemi punuar dhe presim të fitojmë si gjithmonë. Ne duhet të respektojmë çdo kundërshtar, nuk ka rëndësi emri. Përgatitemi gjithmonë njësoj dhe nesër (sot) është një ndeshje që vlen tri pikë dhe të shkojmë përpara për këtë objektiv që është maksimumi.

Keni hasur probleme në tri ndeshjet e fundit. Çfarë nuk ka shkuar?

Nuk dua shumë të flas për opinionet që kanë shprehur edhe shprehin të tjerët për Vllazninë. Nuk ka kërkim faljeje për javët e fundit, por jemi realistë që nuk kemi qenë aty ku duam. Nuk mund të ndryshojmë e të luftojmë kundër trajnerëve, arbitrave dhe fushave të këqija. Ne mund të ndryshojmë lojën tonë dhe atë po bëjmë. Të gjitha skuadrat presin që ne të dështojmë, por ne do të bëjmë atë çfarë dimë të bëjmë më mirë.

Mungojnë Adili dhe Marku, sa jua prishin planet?

Po, janë mungesa të rëndësishme, por ne kemi mundësi dhe ide për t’i zëvendësuar këta lojtarë. Kemi punuar gjithë javën që me grupin që kemi në dispozicion që të jemi gati për ndeshjen. Duhet të implementojmë në fushë atë çfarë u kemi thënë gjatë kësaj jave lojtarëve në stërvitje. Të jemi të fokusuar në fushë dhe të mos shikojmë çfarë ka kaluar.

Parashikimet e sinoptikanëve thonë se sot në Shkodër mund të bjerë borë…

Për mua nuk ka rëndësi nëse ka borë, shi, mace apo qen. Kemi punuar shumë mirë dhe asgjë nuk e ndalon Vllazninë.

brdaric

Prej 10 javësh mungon goli i qendërsulmuesit Dilaver, sa ju shqetëson kjo situatë?

Po, më shqetëson kjo formë, por presim që shënjestra të jetë e duhura.

Në ndeshjen e fundit gaboi mbrojtja, mendoni se keni bërë korrigjimet e duhura?

Gjithmonë bëjmë analizën se ku jemi duke gabuar. Nuk ndryshon stili i lojës, pasi ne bëjmë lojë sulmuese dhe ndonjëherë është më mirë kur lojtarët gabojnë, sepse bëhen më trima dhe vështrimi është përpara.

Është gati djali juaj, Tim Brdariç, për të debutuar me ekipin e parë?

Është një futbollist si shumë të tjerë me perspektivë. Po punojmë që t’i sjellë vlerë klubit. Nëse ka ardhur që të futet në fushë, do ta bëjmë. Ka shumë të talentuar në skuadër dhe që luajnë për ekipin U-21.

ADMIR URUÇI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"